‘Paratë janë të Alda Klosit’. Edhe djali i sanitares jep të njëjtën dëshmi

Havier Dobi ka dhënë dëshminë e tij, duke zgjedhur t’i qëndrojë besnik deklaratave të nënës së tij, sa i takon shumës së madhe të parave të zbuluara në banesën e tyre.

Gjatë rimarrjes në pyetje, djali i Rozeta Dobit ka konfirmuar sërish se 500 mijë eurot i përkasin ish-zyrtares së Ministrisë së Financave Alda Klosit, e arrestuar më 3 shkurt të këtij viti për të cilën janë ngritur tre akuza.

Havier Dobi është shprehur se mamaja e tij i ka marrë paratë me urdhër të pronares së saj, e ndërsa ai ka qëndruar poshtë pallatit ku banonte Klosi, ku e priste me makinë.

Rozeta Dobi u pyet për 6 orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në datë 3 shkurt.

Gjatë marrjes së pyetje sanitarja e pranoi përpara hetuesve se e gjitha ka qenë një inskenim i Alda Klosit. Nga ana tjetër prokuroria e Tiranës ka konstatuar mospërputhje të deklarimeve të Alda Klosit me vëllain e saj Leonard Ciko.

Ish-zyrtarja është shprehur se shuma rreth 120 mijë euro është e xhaxhait të saj që ndërroi jetë disa janë më parë në Amerikë, ndërsa vëllai i Klosit, në deklarimet e tij ka thënë se kjo shumë i ishte marrë borxh një miku të tyre dhe për këte kishin një deklaratë të nënshkruar dore.

Sipas prokurorisë, Rozeta Dobi ka pranuar se të gjitha paratë e sekuestruara, përfshirë dhe 404 mijë eurot e gjetura në aspirator janë marrë nga banesa e Alda Klosit. Ndaj saj janë ngritur akuzat e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisëë dhe deklarimit të rremë.

*Tibo News