Papa në Kazakistan për lëvizjen e paqes në Azinë Qendrore

Papa Françesku, i paralajmëruar nga mjekët që të mos udhëtojë në Ukrainë në të ardhmen e afërt, do të sjellë të martën një mesazh paqeje në vend të Azisë Qendrore të tensionuar me një udhëtim tre-ditor në Kazakistan.

Papa, i cili detyrohet nga dhimbja e gjurit të përdorë një karrige me rrota dhe ka pranuar se duhet të ngadalësojë ritmin ose të marrë në konsideratë daljen në pension, do të marrë pjesë në një samit ndërfetar në kryeqytetin, Nur-Sulltan.

85-vjeçari tha të dielën se udhëtimi i 38-të jashtë vendit që nga zgjedhja e tij në 2013 do të ishte “një mundësi për të pasur dialog si vëllezër, të gjallëruar nga dëshira e përbashkët për paqen, paqen për të cilën bota jonë është e etur.”

Patriarku ortodoks rus Kirill, një aleat i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin, pritej fillimisht, por është tërhequr nga ngjarja e 14-15 shtatorit, duke shuar shpresat për një takim me Françeskun për konfliktin në Ukrainë.

Ndërsa Papa ka bërë thirrje për paqe dhe ka denoncuar një “luftë mizore dhe të pakuptimtë”, Kirill ka mbrojtur “operacionin ushtarak” të Putinit dhe luftën kundër “armiqve të jashtëm dhe të brendshëm” të Rusisë.

Rreth 100 delegacione nga 50 vende pritet të marrin pjesë në veprimtarinë në Kazakistan, i cili ndodhet në jug të Rusisë dhe fitoi pavarësinë me rënien e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

“Dialogu, një bashkim, kërkimi i paqes midis botëve të ndryshme fetare dhe kulturore janë në qendër të këtij udhëtimi,” tha të hënën zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni.

Papa pritet të zbarkojë të martën pak para orës 18:00 në Nur-Sulltan, ku do të shkojë në pallatin presidencial dhe do të mbajë fjalimin e parë para autoriteteve dhe trupit diplomatik.

 

Tensionet

Para kësaj ai do të pritet nga presidenti Kassym-Jomart Tokayev.

Udhëheqësi 69-vjeçar është një aleat i Rusisë, megjithëse ka pasur tensione mes dy vendeve që kur Moska nisi pushtimin në shkurt.

Tokayev ka refuzuar të mbështesë luftën dhe prania e një komuniteti të madh rus në veri të Kazakistanit ka ngjallur frikën e një ringjalljeje të ambicieve perandorake të Moskës në këtë zonë.

Kazakistani kufizohet me ish-republikat e tjera sovjetike, si dhe me Kinën dhe Detin Kaspik.

Të mërkurën, Françesku do të flasë në hapjen e seancës plenare të Kongresit të Udhëheqësve të Feve Botërore dhe Tradicionale, përpara se të kremtojë një meshë pasdite dhe të përfundojë udhëtimin e tij të enjten duke takuar krerët katolikë.

Presidenti kinez Xi Jinping do të jetë në vend në të njëjtën kohë me Françeskun, por nuk pritet asnjë takim, pavarësisht se Vatikani shpreson të rinovojë një marrëveshje historike për emërimin e peshkopëve në Kinë.

Kazakistani i pasur me energji ka 19 milionë banorë, 70 për qind e të cilëve janë myslimanë sunitë, ndërsa 26 për qind janë të krishterë, kryesisht ortodoksë rusë. Më pak se një për qind janë katolikë.

Tokayev filloi një seri reformash pas zgjedhjes së tij në vitin 2019, por vendi u trondit nga protestat për çmimet e karburantit në fillim të këtij viti që lanë më shumë se 200 njerëz të vdekur dhe shkatërruan imazhin e tij të stabilitetit.

Françesku është Papa i dytë që viziton Kazakistanin pas udhëtimit të Gjon Palit II në shtator 2001.

Ai tha javën e kaluar se mjekët ia kishin ndaluar të udhëtonte në Ukrainë ose Moskë për momentin, pasi ai shërohet nga një problem në gju që e ka detyruar të anulojë ngjarje të shumta në Vatikan.

 

*TiboNews