
Papa: Ligjet që kriminalizojnë personat LGBT janë mëkat dhe padrejtësi
Papa Françesku u shpreh se ligjet që kriminalizojnë personat LGBT konsiderohen mëkat dhe padrejtësi, sepse Zoti i do dhe i shoqëron njerëzit me tërheqje ndaj të njëjtit seks.
Papa, i cili tregoi qëndrimin e tij në përgjigje të pyetjes së një gazetari në bordin e avionit, mori mbështetjen e plotë nga dy udhëheqës të tjerë të krishterë që ishin në aeroplan me të.
Françesku tha se kriminalizimi i homoseksualitetit është një problem që nuk mund të injorohet dhe citoi statistika të paidentifikuara sipas të cilave 50 vende i kriminalizojnë personat LGBT në një mënyrë ose në një tjetër dhe rreth 10 të tjerë kanë ligje që përfshijnë dënimin me vdekje për ta.
“Kjo nuk është e drejtë. Personat me prirje homoseksuale janë fëmijë të Zotit. Zoti i do ata. Zoti i shoqëron… dënimi i një personi si ky është një mëkat. Kriminalizimi i njerëzve me prirje homoseksuale është një padrejtësi,” tha Papa Françesku.
Ai vuri në dukje se katekizmi i Kishës Katolike, ose libri i mësimeve, thotë se tërheqja ndaj të njëjtit seks nuk është mëkat, por aktet homoseksuale janë. Ai gjithashtu thotë se personat LGBT nuk duhet të margjinalizohen.