Papa Françesku në lot gjatë lutjes për paqe në Ukrainë

Papa Françesku mbajti këtë javë një lutje tejet prekëse për vuajtjet e ukrainasve në luftë.

Gjatë ceremonisë tradicionale në qendër të Romës, Papa u përlot nga emocionet aq sa nuk mundi të shtojë fjalë për rreth 30 sekonda gjatë thirrjs së tij për paqe në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Turma, duke përfshirë kryetarin e bashkisë Roberto Gualtieri, i cili po qëndronte krah Papës, duartrokiti kur e kuptoi se ai nuk mund të fliste më shumë dhe u përlot.

Pak më vonë Papa Françesku vijoi apelin e tij, megjithëse me zë të dobët. Ai kujtoi fëmijët, të moshuarit dhe të pafajshmit që kanë humbur jetën gjatë 9 muajve të fundit në Ukrainë duke shtuar se çdo luftë mund të mënjanohet.

Lutja e Papës ishte pjesë e ceremonisë vjetore për të festuar Festën e Ngjizjes së Papërlyer, një festë publike dhe traditë 168-vjeçare që nis sezonin e Krishtlindjeve në Itali.

Papa, i cili ka përmendur Ukrainën thuajse në të gjitha daljet e tij publike dhe ka mbajtur një qëndrim gjithnjë e më kritik ndaj Moskës, komentoi më tej konfliktin kur foli me një gazetar për këtë ngjarje.

Ai tha se vijimi i vuajtjeve në Ukrainë “është një disfatë për njerëzimin”.

Menjëherë pas fjalës së Papës, Roma ndezi dritat ikonike të Krishtlindjeve në Via del Corso, rrugë kjo që është më kryesorja e qytetit.

*Tibo News