Papa Françesku mbyll turin në Afrikë: Le të hedhim armët e urrejtjes dhe hakmarrjes

Papa Françesku ka mbyllur turin e tij një-javor në Afrikë. Mesha e tij përfundimtare ishte në Sudanin e Jugut, ku bëri thirrje  që njerëzit të dorëzonin “armët e urrejtjes”.

Turma të mëdha adhuruesish ishin mbledhur në kryeqytetin Juba për të parë papën 86-vjeçar.

“Le të hedhim armët e urrejtjes dhe hakmarrjes… Le të kapërcejmë mospëlqimet dhe neveritë që me kalimin e kohës janë bërë kronike dhe rrezikojnë të vendosin fiset dhe grupet etnike kundër njëri-tjetrit,” tha Françesku.

Kjo ishte vizita e parë papale në vendin me shumicë të krishterë, i cili arriti pavarësinë nga Sudani me shumicë myslimane në vitin 2011.

Ndalesa e Papës në Sudanin e Jugut pasoi një vizitë në Republikën Demokratike të Kongos, një tjetër vend i pasur me burime i rrënuar nga konflikti i vazhdueshëm dhe gjithashtu shpesh i anashkaluar nga bota. Udhëtimi, i pesti i Françeskut në Afrikë, ishte planifikuar fillimisht për vitin 2022, por u shty për shkak të problemeve shëndetësore të Papës.

Françesku konfirmoi se do të vizitonte Marsejën, në jug të Francës, më 23 shtator, ndërsa në Indi ka planifikuar një udhëtim në 2024. Gjithashtu tha se Vatikani po shikonte një udhëtim të mundshëm në Mongoli.