
‘Pankreasi artificial’ zgjidhje për të sëmurët me diabet
Jetët e shumë njerëzve me diabet të Tipit 1 mund të ndryshojnë falë një teknologjie të re, që ka potencialin të revolucionarizojë mënyrën e trajtimit.
Bëhet fjalë për një aparaturë, e cila mund të imitojë funksionimin e pankreasit.
Ideja për një aparaturë të tillë ka ekzistuar prej viteve 70-të, por që vetëm së fundmi është mundur të bëhet realitet në Britaninë e Madhe.
Aparatura, e ashtuquajtur pankreas artificial, përdor një sensor glukoze që vendoset nën lëkurë dhe llogarit automatikisht, me një algoritëm, sa insulinë duhet të shpërndahet përmes një pompe, duke i liruar njerëzit me diabet të Tipit 1, që detyrohen të monitorojnë me dorë nivelet e sheqerit në gjakun e tyre dhe marrin çdo ditë injeksione.
Pajisja i kalon të dhënat e përftuara direkt në telefon përmes një sistemi ku mund të ngarkojnë gjithashtu numrin e karbohidrateve të marra gjatë një vakti.
Për herë të parë pajisja u provua vitin e shkuar në Britani të Madhe ku qindra të rritur dhe fëmijë me diabet të Tipit 1 zbuluan se pankreasi artificial mund t’ua lehtësojë jetën.
Të dhënat e përftuara nga monitorimi nxiti autoritetet britanike që ta miratojnë përdorimin e pajisjes në fjalë, e cila kushton £5,744, por që specialistët thonë se çmimi mund të bjerë vitet në vazhdim.
Çfarë është diabeti i Tipit 1?
Diabeti i Tipit 1 është një gjendje gjenetike që zakonisht shfaqet herët në jetë, konsiderohet gjendje më e keqe se diabeti i Tipit 2, që zakonisht zhvillohet me kalimin e kohës dhe lidhet kryesisht me stilin e jetës sedentare.
Me diabetin e Tipit 1, sistemi imunitar sulmon dhe shkatërron qelizat që prodhojnë insulinë në pankreas, duke i bërë ata që vuajnë nga sëmundja të mos jenë në gjendje të prodhojnë insulinë.
Pa të, sheqeri në gjak nuk mund të hyjë në qelizat e trupit tonë dhe të shndërrohet në energji.
Gjendja është kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet dhe mund të çojë në amputime, verbëri dhe probleme me veshkat.
*Tibo News.