Pandemia ua shtoi pasurinë 10 njerëzve më të pasur në botë

Pandemia e koronavirusit i ka bërë të pasurit e botës akoma më të pasur, ndërsa të tjerë më të varfër.

Sipas raportit të Oxfam, të ardhurat më të ulëta për më të varfërit në botë kontribuan në vdekjen e 21 mijë njerëzve çdo ditë.

Por 10 njerëzit më të pasur në botë kanë më shumë se dyfishuar pasurinë e tyre kolektive që nga marsi i i vitit 2020.

Oxfam zakonisht lëshon një raport mbi pabarazinë globale në fillim të takimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Mbledhja në Davos sheh mijëra liderë korporatash dhe politikanë, të famshëm, aktivistë, ekonomistë dhe gazetarë që mblidhen në resortin zviceran të skive për diskutime në panel, por edhe festa.  Megjithatë, për të dytin vit radhazi, takimi (i planifikuar për këtë javë) do të jetë online – pasi shfaqja e variantit të Omicron prishi planet për prezencë fizike.

Danny Sriskandarajah, shefi ekzekutiv i Oxfam GB, thotë se raporti publikohet pikërisht me kohën e forumit në Davos, për të tërhequr vëmendjen e elitave ekonomike, të biznesit dhe politikës.

“Ka pasur një miliarder të ri të krijuar pothuajse çdo ditë gjatë kësaj pandemie, ndërkohë që 99% e popullsisë së botës janë më keq për shkak të bllokimeve, tregtisë ndërkombëtare më të ulët, më pak turizëm ndërkombëtar dhe si rezultat i kësaj, 160 milionë njerëz më shumë janë shtyrë drejt varfërisë. Kemi shumë të meta me sistemin tonë ekonomik,” tha ai.

Ndërkaq, sipas të  dhënave të Forbes të cituara nga organizata bamirëse, 10 njerëzit më të pasur në botë janë: Elon Musk, Jeff Bezos, Bernard Arnault dhe familja e tij, Bill Gates, Larry Ellison, Larry Page, Sergey Brin, Mark Zuckerberg, Steve Ballmer dhe Warren Buffet.

Ndërsa pasuria e tyre kolektive u rrit nga 700 miliardë dollarë në 1.5 trilion dollarë, ka një ndryshim të rëndësishëm mes tyre, me pasurinë e Musk që u rrit me më shumë se 1000%, ndërsa e Gates u rrit më modestisht, me 30%, nisur kjo nga bizneset e tyre dhe shërbimet gjatë pandemisë së koronavirusit.

Raporti i Oxfam bazohet në të dhënat nga Lista e Miliarderëve të Forbes dhe raporti vjetor i Pasurisë Globale të Credit Suisse.