OSHEE prezanton skemë të re për detyrimet e prapambetura, ka një kusht

Qytetarët, bizneset apo institucionet buxhetore që kanë fatura të prapambtura të energjisë elektrike do të mund ti paguajnë ato me këste.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE ka prezantuar skemat e quajtura “aktmarrëveshje” për shlyerjen me këste të faturave të energjisë të papaguara deri në 31 dhjetor 2022. Kjo sipas OSHEE siguron  mbështetje të nevojshme për prapambetjet në pagesat e faturave gjatë dhe pas pandemisë.

Por ka dhe një kusht:

Ata duhet të kenë mbyllur detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të jenë likuiduar përpara lidhjes së aktmarrëveshjes së shlyerjes së debisë. Në vëmendje të kesaj skeme janë vendosur kategoritë më vulnerabël si familjarët dhe bizneset e vogla.

Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë.

Ndërsa klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë dhe ata jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë.

Nëse do lidhin një aktmarrëveshje, familjarët do përfitojnë reduktim kamate 70% nëse shlyen njëherësh detyrimin.

OSHEE ka vendosur gjtihashtu reduktim kamate 100% për biznesin e vogël, nëse e paguan njëherësh detyrimin.