
Orban fiton mandatin e katërt qeverisës në Hungari
Nacionalisti hungarez Viktor Orban fitoi për të katërtën herë radhazi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Në zgjedhjet që u mbajtën të dielën, Orban, mori mbi 53% të votave duke kryesuar me më shumë se 18% përballë koalicionit të gjerë të opozitës së majtë liberale të Peter Marki-Zay.
Orban e drejton Hungarinë që prej vitit 2010. Ai njihet për qëndrimet kundër të drejtave të komunitetit LGBT, simpatinë për Moskën e Vladimir Putinit, si dhe politikat kundër emigracionit.
I vënë goxha në pozitë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Orban e përqendroi fushatën te politikat konservatore dhe shmangu tërësisht pyetjet e ngritura për sipërmarrjet dhjetëvjeçare me Presidentin rus Putin.
I rrethuar nga anëtarët kryesorë të partisë së tij Fidesz, Orbani, 58-vjeçar, tha se fitorja e së dielës erdhi kundrejt të gjitha parashikimeve. Duke pranuar humbjen, Marki-Zay, 49 vjeç, tha se fitorja e Fidesz ishte për shkak të asaj që ai e quajti si makineria shtetërore e propagandës, duke përfshirë dominimin absolut të mediave nga Orbani.
Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve tha se partia e Orbanit do të siguronte minimalisht 135 deputetë, ndërsa opozita 56.
Vlen të theksohet se parlamenti i ardhshëm do të ketë gjithashtu përfaqësues nga ekstremi i djathtë. Partia “Atdheu Ynë”, fitoi 7 mandate në zgjedhjet e së dielës.
Ekspertë të politikës thonë se mandati i katërt i Orbanit do të përthellojë tkurrjen e qasjeve demokratike në Hungari, do të kufizojë më tej lirinë e mediave dhe të drejtat e njeriut.