OKB ngre alarmin: 1/4 e popullsisë së botës pa ujë të pijshëm

Një raport i OKB për ujin thotë se në më shumë se 45 vjet, 26% e popullsisë së botës nuk ka qasje tek uji i pijshëm i sigurt dhe 46% nuk kanë qasje tek elementet bazë të higjienës.

Raporti i OKB-së për Zhvillimin Botëror të Ujit 2023 ofron një pamje të zymtë të hendekut të madh që duhet të tejkalohet për të përmbushur objektivat e OKB-së, për të siguruar që të gjithë njerëzit të kenë qasje tek uji i pastër dhe elementet bazë të higjienës deri në vitin 2030.

Richard Connor, kryeredaktor i raportit, tha në një konferencë shtypi se kostoja e vlerësuar për përmbushjen e objektivave është midis 600 miliardë dhe 1 trilion dollarë në vit.

Por po aq e rëndësishme, tha Connor, është krijimi i partneriteteve me investitorët, financuesit, qeveritë dhe komunitetet e prekura nga ndryshimet klimatike, për të siguruar që paratë të investohen për të mbështetur mjedisin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për 2 miliardë njerëz që nuk e kanë atë dhe kanalizime për 3.6 milionë njerëz në nevojë.

Sipas raportit, përdorimi i ujit në shkallë botërore është rritur me afërsisht 1% në vit gjatë 40 viteve të fundit “dhe pritet të rritet me një ritëm të ngjashëm deri në vitin 2050, i nxitur nga një kombinim i shtimit të popullsisë, zhvillimit socio-ekonomik dhe ndryshimit të strukturave të konsumit.

Si rezultat i ndryshimit të klimës, thuhet në raport, “mungesa sezonale e ujit do të rritet në rajonet ku është aktualisht e bollshme, si Afrika Qendrore, Azia Lindore dhe pjesë të Amerikës së Jugut, dhe do të përkeqësohet në rajonet ku uji tashmë është në mungesë, si Lindja e Mesme dhe Saharaja në Afrikë”.

Mesatarisht, “10% e popullsisë së botës jeton në vende me mungesa të larta ose kritike uji. Deri 3.5 miliardë njerëz jetojnë në kushte me mungesa uji të paktën një muaj në vit, thuhet në raportin e lëshuar nga UNESCO.

Sa i përket ndotjes së ujit, tha Connor, burimi më i madh i ndotjes janë ujërat e zeza të patrajtuara.

“Globalisht, 80% e ujërave të zeza derdhen në natyrë pa u trajtuar,” tha ai, “në shumë vende në zhvillim kjo shkallë është pothuajse 99%.”

Këto dhe çështje të tjera, përfshirë mbrojtjen e ekosistemeve ujore, përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore, rritjen e ripërdorimit të ujit dhe nxitjen e bashkëpunimit përtej kufijve për përdorimin e ujit do të diskutohen gjatë Konferencës së OKB-së për Ujërat të bashkëkryesuar nga Mbreti Willem-Alexander i Holandës dhe Presidenti Emomali Rahmon i Taxhikistanit. Në konferencën që fillon punimet të mërkurën marrin pjesë 171 vende dhe 20 organizata.