
OBSH nxjerr shifrën e vërtetë, sa njerëz kanë ndërruar jetë nga Covid
Pandemia e Covid ka shkaktuar vdekjen e afro 15 milionë njerëzve në mbarë botën.
Ky është vlerësimi që bën Organizata Botërore e Shëndetësisë në llogaritjet më të fundit, që tregon se shifra e vërtetë e viktimave për shkak të virusit është 13 % më shumë sesa raportohej në raportet e mëparshme.
OBSH beson gjithashtu se shumë vende nuk i kanë llogaritur mirë viktimat, duke raportuar në total vetëm 5.4 milionë.
Sipas Organizatës, vetëm në Indi kanë humbur jetën 4.7 milionë njerëz, pra 10 herë më shumë sesa shifrat zyrtare dhe pothuajse një e treta e vdekjeve nga Covid në nivel global.
Qeveria indiane ka vënë në dyshim vlerësimin, por studime të tjera kanë arritur në përfundime të ngjashme në lidhje me shkallën e vdekjeve në vend.
Llogaritjet e OBSH bazohen tek “excess deaths”, sa viktima priteshin normalisht nga shkalla e sëmundjes, bazuar në vdekshmërinë në të njëjtën zonë përpara goditjes nga pandemia e koronavirusit.
Këto llogaritje marrin gjithashtu parasysh vdekjet që nuk ishin drejtpërdrejt për shkak të Covid-it, por të shkaktuara nga efektet e tij të dëmshme, si njerëzit që nuk mund të merrnin shërbim në spitale në kushte emergjence. Raporti gjithashtu llogarit problemet me të dhënat dhe shifrat, si dhe nga testimet në fillim të krizës globale shëndetësore.
OBSH thotë se shumica e 9.5 milionë vdekjeve shtesë që shihen mbi 5.4 milionë vdekjet e raportuara nga Covid mendohej se ishin vdekje të drejtpërdrejta të shkaktuara nga virusi, dhe jo vdekje indirekte.
Duke folur për të dhënat e publikuara, Samira Asma nga departamenti i të dhënave të OBSH-së, thotë se kemi të bëjmë me një tragjedi.
“Është një shifër marramendëse dhe është e rëndësishme për ne që të nderojmë jetët e humbura, dhe përgjegjësi duhet të mbajnë politikëbërësit. Nëse nuk tregojnë shifra reale të të vdekurve, do të humbasim mundësitë për të qenë më të përgatitur për herën tjetër”.
Krahas Indisë, vendet me numrin më të madh të vdekjeve të tepërta përfshijnë Rusinë, Indonezinë, SHBA-në, Brazilin, Meksikën dhe Perunë.
Shifrat për Rusinë janë tre herë e gjysmë më shumë se vdekjet e regjistruara në vend.
Raporti gjithashtu shikon normat e vdekjeve të tepërta në raport me madhësinë e popullsisë së secilit vend. Shkalla e tepërt e vdekshmërisë në Britani – si Amerika, Spanja dhe Gjermania – ishte mbi mesataren globale gjatë 2020 dhe 2021.
Vendet me shkallë të ulët të vdekshmërisë së tepërt përfshinin Kinën, e cila ende po ndjek një politikë të “zero Covid” që përfshin testime masive dhe karantina, Australinë, e cila vendosi kufizime të rrepta udhëtimi për të mbajtur virusin jashtë vendit, Japoninë dhe Norvegjinë.
Akademikët që ndihmuan në përpilimin e raportit pranojnë se vlerësimet e tyre janë më spekulative për vendet në Afrikën Sub-Sahariane, sepse ka pak të dhëna për vdekjet në rajon. Nuk ka statistika të besueshme për 41 nga 54 vende në Afrikë.
*Tibo News.