OBSH: Një në tre persona me probleme neurologjike

Problemet neurologjike tek njerëzit po njohin rritje.

Sipas OBSH, 1 në 3 persona në gjithë botën po preken nga problemet neurologjike të cilat përbëjnë shkakun kryesor të sëmundjes dhe paaftësisë.

Sipas ekspertëve, i njëjti trend rritjeje po vihet re edhe në Shqipëri. Kjo për disa arsye:

Rritja progresive e rasteve lidhet me dy këndvështrime, jetëgjatësia është rritur tashmë dhe ka dhe ndryshim të mënyrës së jetesës dhe kjo e shton sëmundshmërinë. Janë të gjitha grupmoshat të prekura, grupmoshat e reja kanë qenë prezentë në këtë sëmundje, kuptohet që kontingjenti më i rrezikuar janë mosha e tretë personat mbi 60 vjeç sepse edhe sëmundjet bashkëshoqëruese janë më të shprehura tek to.

Goditjet cerebrale janë më shpeshtat. Por për të shmangur pasojat më të rënda, mjekët rekomandojnë të mos anashkalohet asnjë simptomë.

Të dhënat tregojnë se vdekjet e parakohshme që janë të shkaktuara nga problemet neurologjike janë rritur me 18% që nga viti 1990.

OBSH tregon se problemet neurologjike shkaktojnë më shumë paaftësi tek meshkujt në krahasim me femrat. Megjithatë ka disa sëmundje si migrena apo demenca ku gratë janë më të prekurat se burrat.