OBSH: Covid-19 ende një emergjencë shëndetësore globale

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se Covid-19 vazhdon të përbëjë një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.

Kjo është forma më e lartë e alarmit.

Pandemia ka arritur në një “pikë tranzicioni” që vazhdon të ketë nevojë për menaxhim të kujdesshëm për të “zbutur pasojat e mundshme negative”.

Kanë kaluar tre vjet që kur OBSH deklaroi për herë të parë se COVID përfaqësonte një emergjencë globale shëndetësore.

Më shumë se 6.8 milionë njerëz kanë vdekur gjatë shpërthimit, i cili ka prekur çdo vend të botës, duke shkatërruar komunitetet dhe ekonomitë.

Megjithatë, ardhja e vaksinave dhe trajtimeve e ka ndryshuar situatën e pandemisë në mënyrë të konsiderueshme që nga viti 2020.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë se shpreson të shohë një fund të urgjencës këtë vit, veçanërisht nëse qasja në kundërmasat mund të përmirësohet në mbarë globin.

“Ne mbetemi me shpresë se në vitin e ardhshëm, bota do të kalojë në një fazë të re në të cilën ne reduktojmë shtrimet në spital dhe vdekjet (COVID) në nivelin më të ulët të mundshëm,” tha Tedros në një takim të veçantë të OBSH-së të hënën.

Këshilltarët e komitetit të ekspertëve të OBSH-së për statusin e pandemisë i thanë Reuters në dhjetor se nuk ishte momenti për t’i dhënë fund urgjencës duke pasur parasysh pasigurinë mbi valën e infeksioneve në Kinë pasi ajo hoqi masat e saj të rrepta zero-COVID në fund të 2022.