
OBSH alarm për shurupet e kollës të prodhuara nga India
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar alarmin global lidhur me katër shurupe për kollën. OBSH paralajmëroi se ato mund të lidhen me vdekjen e 66 fëmijëve në Gambia.
Organizata tregon se shurupet ishin të lidhura potencialisht me lëndime akute të veshkave dhe 66 vdekje mes fëmijëve.
Shurupet janë prodhuar nga një kompani indiane, Maiden Pharmaceuticals, e cila kishte dështuar të jepte garanci për sigurinë. Firma ende s’ka komentuar lidhur me deklaratat dhe paralajmërimet e OBSH.
Ndërkaq, zyrtarët indianë thonë se i kanë kërkuar OBSH-së të japë prova konkrete për lidhjen midis shurupeve dhe vdekjeve të fëmijëve.
OBSH i identifikoi shurupet si Solucioni Oral Promethazine, Shurupi i Kollës për Fëmijë Kofexmalin, Shurupi i Kollës për Bebe Makoff dhe Shurupi Magrip N Cold.
Këto katër produkte janë identifikuar në Gambia, por “mund të jenë shpërndarë, përmes tregjeve informale, në vende ose rajone të tjera”, shton OBSH.
Sipas OBSH, përdorimi i shurupeve mund të rezultojë në lëndime serioze ose vdekje, veçanërisht te fëmijët.
Paralajmërimi i OBSH-së vjen pasi autoritetet mjekësore në Gambia, një destinacion popullor turistik – zbuluan një rritje të rasteve të dëmtimit akut të veshkave tek fëmijët nën moshën pesë vjeç në fund të korrikut.
Qeveria e Gambisë që atëherë ka pezulluar përdorimin e të gjitha shurupeve të paracetamolit dhe u ka kërkuar njerëzve të përdorin tableta në vend të tyre.
OBSH tha se analizat laboratorike të mostrave të produkteve “konfirmojnë se ato përmbajnë sasi të papranueshme të dietilen glikolit dhe etilen glikolit”.
Substancat janë toksike dhe efektet e tyre mund të përfshijnë dhimbje barku, të vjella, diarre, pamundësi për të urinuar, dhimbje koke, gjendje mendore të ndryshuar dhe dëmtim akut të veshkave që mund të çojnë në vdekje.
Zyrtarët shëndetësorë të Gambisë thanë muajin e kaluar se dhjetëra fëmijë kishin vdekur, pa dhënë një numër të saktë.
*Tibo News