AlbanianEnglish

Obsesioni i Putin kur ishte i ri, spekulimet për shëndetin dhe dyshimet e agjentëve

Udhëheqësi rus Vladimir Putin është bllokuar në një botë të izoluar të krijuar prej tij, e këtë e besojnë agjentët/spiunët perëndimorë… dhe kjo i shqetëson ata!

Prej vitesh ata kanë kërkuar të futen në mendjen e Putin, për të kuptuar më mirë qëllimet e tij. Me trupat ruse në dukje të bllokuar në Ukrainë, nevoja për ta bërë këtë është edhe më e fortë teksa përpiqen të kuptojnë sesi ai do të reagojë Putin nën presion.

Të kuptuarit e gjendjes shpirtërore të Vladimir Putin do të jetë jetike për të shmangur përshkallëzimin e krizës në një territor edhe më të rrezikshëm.

Ka pasur spekulime se lideri rus është i sëmurë, por shumë analistë besojnë se ai në fakt është izoluar për çdo pikëpamje alternative. Izolimi i tij ka qenë i dukshëm në fotot e takimeve të tij, si kur takoi presidentin Emmanuel Macron, dyshja në skajet e largëta të një tavoline të gjatë. Kjo ishte gjithashtu e dukshme në takimin e Putinit me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në prag të luftës.

Plani fillestar ushtarak i Putinit dukej si diçka e krijuar nga një oficer i KGB-së. Por rezultati ishte kaos. Komandantët ushtarakë rusë nuk ishin gati dhe disa ushtarë kaluan kufirin pa e ditur se çfarë po bënin.

Spiunët perëndimorë dinin më shumë për ato plane sesa shumë njerëz brenda udhëheqjes ruse. Por tani ata përballen me një sfidë të re – të kuptojnë se çfarë do të bëjë lideri rus më pas. Dhe kjo nuk është e lehtë.

“Sfida e të kuptuarit të lëvizjeve të Kremlinit është se Putini është vendimmarrësi i vetëm në Moskë”, shpjegon John Sipher, i cili më parë drejtonte operacionet e CIA-s në Rusi. Dhe edhe pse pikëpamjet e tij shpesh bëhen të qarta përmes deklaratave publike, të dish se si do të veprojë ndaj tyre është sfidë e vështirë e inteligjencës.

“Është jashtëzakonisht e vështirë në një sistem aq të mbrojtur sa Rusia të kesh inteligjencë të mirë për atë që po ndodh brenda kokës së liderit, veçanërisht kur kaq shumë nga njerëzit e tij nuk e dinë se çfarë po ndodh,” thotë John Sawers, ish kreu i MI6 në Britani.

Zyrtarët e Inteligjencës thonë se Putin është i izoluar në një ‘flluskë’ të krijuar prej tij, në të cilën depërtojnë shumë pak informacione të jashtme, veçanërisht çdo informacion që mund të sfidojë atë që ai mendon.

“Ai është viktimë e propagandës së tij në kuptimin që ai dëgjon vetëm një numër të caktuar njerëzish dhe bllokon gjithçka tjetër. Rreziku është ai që quhet “mendim në grup” në të cilin secili përforcon pikëpamjen e tij. Nëse ai është viktimë e grupit, mendoni thjesht se duhet të dimë se kush është grupi”.

Rrethi i atyre me të cilët Putin bisedon nuk ka qenë kurrë i madh, por kur erdhi tek vendimi për të pushtuar Ukrainën, ai ishte ngushtuar në vetëm një grusht njerëzish, besojnë zyrtarët e inteligjencës perëndimore. Dhe këtu e kanë fjalën tek ata njerëz-besimtarë të vërtetë ndaj mendimeve të Putin, ose qoftë të obsesionuar me veprimet e Putin.

Se sa i vogël është bërë rrethi i tij i brendshëm u theksua kur ai veshi publikisht kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme në mbledhjen e sigurisë kombëtare pak para pushtimit  të Ukrainës, një veprim që dukej se poshtëronte zyrtarin e lartë. Fjalimi i tij disa orë më vonë la të kuptojë për një burrë të zemëruar dhe të fiksuar pas Ukrainës dhe Perëndimit.

Ata që e kanë vëzhguar thonë se lideri rus është i shtyrë nga një dëshirë për të kapërcyer poshtërimin e perceptuar të Rusisë në vitet 1990, së bashku me një bindje se Perëndimi është i vendosur ta mbajë Rusinë nën këmbë dhe ta largojë atë nga pushteti.

Një zyrtar që takoi Putin kujton fiksimin e tij me shikimin disa herë radhazi të videove të vrasjes së kolonelit Libian Gadafi pasi ai u dëbua nga pushteti në vitin 2011.

Kur drejtorit të CIA-s William Burns iu kërkua të vlerësonte gjendjen mendore të Putin, ai tha se presidenti rus nuk mund të deshifrohet.

A është i çmendur presidenti rus? Kjo është një pyetje që e kanë bërë shumë në Perëndim. Por pak ekspertë e konsiderojnë atë të dobishme. Një psikolog me ekspertizë në këtë fushë thotë se fakti që ne quajmë çmenduri një vendim të presidentit rus, në fakt ne mendojmë gabim. Kjo sepse nuk mund të bëjmë cilësime të tilla, përveçse të mundohemi të kuptojmë më shumë mbi këtë vendim.

CIA ka një ekip që kryen “analizë lidershipi” mbi vendimmarrësit e huaj, duke u mbështetur në një traditë që daton që nga përpjekjet për të kuptuar Hitlerin. Ata studiojnë sfondin, marrëdhëniet dhe shëndetin, duke u mbështetur në inteligjencën sekrete.

Një burim tjetër janë leximet nga ata që kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta, siç janë liderët e tjerë. Në vitin 2014, thuhet se Angela Merkel i tha Presidentit Obama se Putin po jetonte “në një botë tjetër”. Presidenti Macron ndërkohë, kur u ul me Putin së fundmi, u raportua se e kishte parë udhëheqësin rus “më të ngurtë, më të ftohtë” krahasuar me takimet e mëparshme.

A ndryshoi diçka?

Disa spekulojnë edhe pse pa shumë prova, për sëmundje të mundshme të Putin dhe ndikim të fortë nga ilaçet. Të tjerë tregojnë për faktorë psikologjikë, të tillë si ndjenja e kohës që i mbaron për të përmbushur atë që ai e sheh si fatin e tij në mbrojtjen e Rusisë ose rikthimin e madhështisë së Rusisë. Udhëheqësi rus është izoluar dukshëm nga të tjerët gjatë pandemisë Covid dhe kjo gjithashtu mund të ketë pasur një ndikim psikologjik.

“Putini ka të ngjarë të mos jetë i sëmurë mendor, as nuk ka ndryshuar, megjithëse është më i nxituar dhe më shumë i izoluar në vitet e fundit,” thotë Ken Dekleva, një ish mjek dhe diplomat i qeverisë amerikane, dhe aktualisht një bashkëpunëtor i lartë në Fondacioni George HW Bush për Marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Teoria e të çmendurit

Vetë Putin tregon historinë e ndjekjes së një miu kur ai ishte ende djalë i ri. Teksa e kishte futur miun në një qoshe, miu reagoi duke e sulmuar, duke detyruar Vladimirin-djalë të ikte me vrap. Dhe pyetja që bëjnë politikëbërësit perëndimorë është: Çfarë ndodh nëse zoti Putin ndihet i bllokuar tani në një cep si miu?

Ka shqetësimi se ai mund të bëjë  diçka fatale, të ngjahsme me shtypjen e një butoni që sjell katastrofë.

Vetë Putin mund të interpretojë ndjenjën se ai është i rrezikshëm apo edhe irracional – kjo është një taktikë e njohur (shpesh e quajtur teoria e “të çmendurit”) në të cilën dikush që ka akses në armët bërthamore përpiqet duke bindur që mund të jetë mjaft i çmendur për t’i përdorur ato pavarësisht nga potenciali që të gjithë mund të humbasin.

“Vetë koncepti i Putinit nuk lejon dështim apo dobësi. Ai i përbuz gjëra të tilla. Një Putin i dobësuar është një Putin më i rrezikshëm. Ndonjëherë është më mirë ta lini ariun të ikë nga kafazi dhe të kthehet në pyll.”

*Artikulli i BBC, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tibo News. 

You don't have permission to register