
“Nuk kam pse kërkoj falje, komenti për Putin ishte emocional”
Presidenti amerikan Joe Biden nuk është tërhequr aspak nga komentet që ka bërë për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Biden tha nuk kërkon falje për shprehjen e zemërimit në aspektin moral ndaj veprimeve të Putin në Ukrainë.
Por Çfarë deklaroi Joe Biden?
Gjatë një deklarate në Poloni, pranë familjeve ukrainase, ai tha se Putin duhet të hiqet nga pushteti, ndonëse më vonë shtoi se nuk po mbron idenë e një ndryshimi regjimi në Rusi e as po përpiqet të ndërhyjë në politikën e Rusisë. Presidenti amerikan tha se komentet e tij pasqyronin zemërimin e tij personal e në aspekt moral, po jo në lidhje me ndryshime të politikës së administratës për qeverisjen në Rusi.
“Nuk artikulova ndryshim politikash, as atë ditë dhe as tani. Por unë shpreha zemërimin moral që ndjeva, kështu që nuk kam përse të kërkoj falje. Nuk kthehem pas me ato që kam thënë”, tha Biden.
Biden shtoi se komenti i tij ishte rezultat i një vizite emocionale që pati me familjet e zhvendosura në Poloni, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Nuk më intereson se çfarë mendon Putin.. Ai do të bëjë atë që do të bëjë,” u përgjigj presidenti amerikan kur u pyet se çfarë pret si reagim nga ana e Vladimir Putin.
Presidenti Joe Biden u kërkoi vendeve aleate të përballen përmes sanksioneve me Rusinë, duke thënë se po cënon sigurinë dhe lirinë globale.
Pjesë nga deklarata e Joe Biden:
“Një diktator i prirur për të rindërtuar një perandori nuk do ta fshijë kurrë dashurinë e një populli për lirinë. Brutaliteti nuk do ta ulë kurrë vullnetin për të qenë të lirë. Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë. Ne do të kemi një të ardhme ndryshe, një të ardhme më të ndritshme të rrënjosur në demokraci dhe parim, shpresë dhe dritë, në mirësjellje dhe dinjitet, në liri dhe mundësi. Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet.”