
Nuk ka paqe pa gratë! Ministrja Xhaçka mban fjalimin e parë në Këshillin e Sigurimit të OKB
Gratë, Paqja dhe Siguria ishin temat për të cilat ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka diskutoi në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky ishte dhe fjalimi i parë i saj pas anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e OKB. Ministrja u ndal tek gratë e Kosovës duke kujtuar kohën siç deklaroi ajo, u bënë shënjestra e qëllimshme e një fushate kriminale të spastrimit etik.
“Është një e vërtetë e trishtuar e historisë. Ndërsa burrat aktualisht shkaktojnë pjesën më të madhe të luftimeve, gratë shpesh mbajnë peshën kryesore të tyre. Ne shqiptarët e kemi nxjerrë një mësim nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura. Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik”.
Xhaçka shtoi se aktivistet gra përballen me kërcënime dhe rreziqe ku përfshihen, zhdukjet, rrembimet, e deri në vrasje.
“Të mbështesim dhe të vëmë në dispozicion burime për organizatat relevante të OKB-së për të ofruar të gjithë mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për gratë aktiviste të të drejtave të njeriut, paqendërtueset dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që janë në rrezik, duke përfshirë ato që kanë informuar Këshillin e Sigurimit ose janë angazhuar në cilësi të tjera me sistemin e OKB-së”.
“Nuk mund të ketë paqe pa gratë dhe do të ishte e pafalshme të përjashtohej gjysma e njerëzimit nga përpjekjet që synojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare” theksoi ministrja Olta Xhaçka.