
“Nuk i dërgoj dot para familjes sime të uritur”
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Ghebreyesus, ka zbuluar se ai nuk është në gjendje t’u dërgojë para të afërmve të tij “të uritur” në rajonin Tigray të shkatërruar nga lufta në Etiopi.
“Kam shumë të afërm atje. Unë dua t’u dërgoj para. Nuk mund t’u dërgoj para. Nuk e di as kush ka vdekur e kush është gjallë”, vazhdoi ai.
Që nga fillimi i luftës në vitin 2020, rajoni është shkëputur nga bota e jashtme, pa telefon apo internet.
Qeveria e Etiopisë është akuzuar se ka vendosur një bllokadë ndihme në rajon, e cila pengoi dërgesat thelbësore. Mijëra civilë kanë vdekur dhe miliona kanë nevojë urgjente për ndihmë ushqimore. Programi Botëror i Ushqimit thotë se pothuajse gjysma e popullsisë 5.5 milionëshe të Tigray ka nevojë urgjente për ushqim.
Nuk është hera e parë që Tedros Ghebreyesus, ish-ministër i shëndetësisë në Etiopi, flet për luftën. Të mërkurën ai tha se situata ishte më e keqe se ajo në Ukrainë dhe sugjeroi se racizmi qëndron pas ndryshimit në reagimin global.
“Mund t’ju them se kriza humanitare në Tigray është më shumë se në Ukrainë, pa asnjë ekzagjerim. Dhe e thashë shumë muaj më parë, ndoshta arsyeja është ngjyra e lëkurës së njerëzve në Tigray.”
Në vitin 2020 ai mohoi akuzat e një gjenerali etiopian se ai kishte ndihmuar në blerjen e armëve për rebelët Tigray. “Ka pasur raporte që sugjerojnë se jam duke marrë anë në këtë situatë. Kjo nuk është e vërtetë,” shkroi ai në Twitter në atë kohë.
Luftimet rifilluan këtë javë pas muajsh qetësie pas armëpushimit humanitar të rënë dakord në mars midis forcave Tigrayan dhe qeverisë etiopiane.
Një zëdhënës i Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF), Getachew Reda, tha se luftimet e ashpra po vazhdojnë dhe se populli i Tigray po vuante. TPLF fajëson ushtrinë etiopiane për shpërthimin e luftimeve, ndërsa Etiopia fajëson TPLF-në.
Lufta Tigray shpërtheu në rajonin më verior të Etiopisë në nëntor 2020 – më vonë u përhap në jug në rajonet Amhara dhe Afar.
Mijëra u vranë, mbi dy milionë njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre dhe rreth 700,000 njerëz mbetën duke jetuar në “kushte mjerimi”.
*Tibo News