Një vit premtime, banorët e fshatit Mgullë rregullojnë vetë urën

Kujtesa afatgjatë nuk mund të fshinte kurrsesi momentet, kur banorët largonin me shpejtësi makinat e tyre në anën tjetër të fshatit. Me frikën se përroi që kishte dal nga shtrati do e prishte rrugëkalimin e vetëm, ato shpëtuan mjetet e tyre të lëvizjes.

Rikthehem përsëri në të njëjtin vend. Si sot, një vit më parë një përrua mori me vete urën e vetme ku kalonin banorët e një fshati. Prishja e urës bllokoi lëvizjen e familjeve të fshatit Mgullë të Kukësit.

Në janarin e vitit 2021, një nxënës që kishte ardhur për pushime dimërore tek gjyshërit, kishte ngelur pa shkollë nga bllokimi i urës.

“Kam ardhur nga Tirana për të festuar Vitin e Ri tek dajtë dhe tani ura na ka lënë me mësime mbrapa”, më kujtohen fjalët e tij.

Jetesa e fëmijëve, prindërve, të moshuarve ngeli në mëshirën e disa dërrasave të përkohshme. Të përkohshme sepse mundësonin vetëm kalimin në këmbë.

Dhjetë familjet e fshatit Mgullë në Kukës e kaluan të gjithë vitin 2021 duke kërkuar rindërtimin e një urë që do të mundësonte jetesën normale. Problemin e tyre e publikuan në disa media. Ankesat për ndërtimin e urës u përcollën edhe në dyert e Bashkisë Kukës.

Ato vetëm u dëgjuan, por fjalët i mori era. Një shtresë betoni e mbivendosur në bazament nga Bashkia Kukës për të rritur lartësinë e urës shteroi fondet e Bashkisë. Koha duket se kishte ndaluar. Banorët kohën e premtimeve e shfrytëzuan për të festuar vitit 2022 me një urë të kalueshme për makinat.

Një vit më pas shumëçka ka ndryshuar. Po të mos vepronin vetë me mundësitë e tyre ekonomike për herë të parë do të festonin Vitin e Ri pa urë.

Moti është me diell. Përroi është qetësuar. Bashkë me të edhe zhurma e problemeve të banorëve. Teksa kaloj urën në këmbë, binarët e rreshtuar një mënyrë perfekte më japin siguri në ecje.

Makina e parë që po shikoja të kalonte mbi urë. Shoferi më përshëndet buzagaz. Në fytyrën e tij e ndieje lumturinë. Të dukej sikur po shikoje njeriun e parë në hënë. Kaq e rëndësishme është ura për ato banorë.

Jeta e tyre është e ndërlidhur me tokat bujqësore matanë urës, me bagëtitë që kullosin dhe me shkëmbimet e mallrave mes fshatit Mgullë dhe fshatrave përreth.

Të rinjtë e pakët që kanë ngelur në këtë fshat japin energji dhe besim se zgjidhja përfundimtare duhet kërkuar deri në fund. Klodian Hilaj është një ndër të rinjtë që ka këmbëngëlur shumë për rindërtimin e urës. Shuma financiare e harxhuar nga familjet arrin mbi nivelin e rrogës mesatare në vend.

“Të gjithë shpenzimet kanë shku afro 600 mijë lekë në muaj”, tregon Klodiani, duke shtuar se vetërregullimi që i bënë banorët nuk ofron siguri afatgjatë.

“Investimi nga banorët është përkohësisht. Po nuk ndërhyri Bashkia ura do të prishet prapë”, përfundon ai.

Edhe ura e Bosforit do të ishte ndërtuar më shpejt se ura afro 12 metra që u kthye në legjendë rurale.

Ky reportazh u shkrua nga Gëzim Hilaj