Një tjetër shtet heq ish-presidentin Trump nga fleta e votimit

Të enjten Sekretarja e Shtetit të Meinit Shenna Bellows, një demokrate, vendosi të heqë ish-Presidentin Donald Trump nga fleta e votimit për zgjedhjet paraprake presidenciale, në këtë shtet, bazuar në pikën tre të nenin 14 të Kushtetutës, që trajton rastet se kur një zyrtar nuk kualifikohet për të garuar për një post zyrtar.Me këtë vendim ajo bëhet zyrtarja e parë kryesore që administron çështje zgjedhore, e cila ndërmerr një veprim të njëanshëm, e me pasoja të mundshme në garën e përgjithshme presidenciale. Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të shtetit dhe zonja Bellows e pezulloi atë deri në një vendim të gjykatës mbi këtë çështje.

Zonja Bellows tha se zoti Trump nuk mund të kandidonte sërish për president, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmendur pikën tre të amendamentit 14, që ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.