Një tjetër politikane ekzekutohet në Ekuador

Kryetarja më e re e Ekuadorit, Brigitte García, është qëlluar për vdekje.

27-vjeçarja dhe punonjësi i saj e shtypit u gjetën të vdekur në një makinë në qytetin San Vicente, ku ajo kishte fituar zgjedhjet për kryebashkiake vitin e kaluar.

Nuk ka asnjë të arrestuar deri më tani dhe nuk dihet se cili mund të jetë motivi.

García është politikania e fundit që u vra në vendin e Andeve, i cili vitin e kaluar u trondit nga vrasja e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio. Trupat e zonjës García dhe drejtorit të komunikimit Jairo Loor u gjetën në orët e para të së dielës, sipas kohës lokale.

Policia tha se plumbat ishin lëshuar nga brenda makinës që kishin marrë me qira. Zonja Garcia, një infermiere, ishte zgjedhur kryetare e bashkisë së San Vicentes për partinë opozitare të Revolucionit Qytetar vitin e kaluar në moshën 26-vjeçare.

San Vicente, qyteti që ajo qeveriste, ndodhet në provincën e Manabí. Rajoni bregdetar është goditur veçanërisht nga dhuna e lidhur me bandat e drogës që kontrabandojnë kokainën në tregjet fitimprurëse në SHBA dhe Evropë.

García nuk është politikania e parë në Manabí që vritet.

Në korrik, një person i armatosur qëlloi për vdekje kryebashkiakun e qytetit port të Mantës, Agustín Intriago, i cili ishte rizgjedhur së fundmi.

Dhe në shkurt të vitit 2023, kandidati për kryetar bashkie Omar Menéndez u vra vetëm disa orë para hapjes së qendrave të votimit në qytetin e Puerto López.

Dhuna nuk është kufizuar në Manabí. Në gusht, kandidati presidencial Fernando Villavicencio u qëllua për vdekje teksa po largohej nga një tubim i fushatës në kryeqytetin, Quito.

Prokurorët që hetonin vrasjen e Villavicencio thanë se ajo ishte planifikuar nga brenda burgut nga anëtarët e bandës kriminale Los Lobos.

Rritja e bandave të tilla bëri që presidenti Daniel Noboa në janar të shpallte një gjendje të jashtëzakonshme dy-mujore për të luftuar grupet e armatosura.

Ai u zgjat me një muaj tjetër më 7 mars.

Qeveria thotë se forcat e sigurisë kanë kryer më shumë se 150,000 operacione që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe kanë arrestuar më shumë se 10,000 të dyshuar. Megjithatë, kritikët e qeverisë thonë se vrasja e zonjës Garcia tregon se duhet bërë më shumë për të garantuar sigurinë.