Një rrugë me emrin e Fatos Baxhakut, Bashkia Tiranë pranon propozimin e shoqatës “Art-Im-Pulse”

Shoqata “Art-Im-Pulse” i ka propozuar Bashkisë Tiranë emërtimin e një rruge të kryeqytetit në nder të ish-gazetarit dhe publicistit Fatos Baxhaku.

Kjo u bë me dije gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të mërkurën nga Kryetari Erion Veliaj.

Veliaj e vlerësoi si të drejtë propozimin. Ai e konsideroi figurën e Baxhakut pjesë të gjeneratës së gazetarëve me integritet dhe profesionalizëm, të cilët kontribuan denjësisht në zhvillimin e medias në Shqipëri.

Baxhaku ishte nënkryetar i shoqatës “Art-Im-Pulse”. Producentia Gerta Qurku, e cila është kryetare tha për Tibo News se propozimi është bërë për faktin se më 16 gusht bëhen tre vite nga largimi nga kjo jetë e ish-gazetarit të njohur.

Qurku tha se Këshilli Bashkiak ka dhënë përgjigje pozitive.

Kjo nuk është hera e parë që Bashkia Tiranë nderon publicistë të njohur të viteve 90/2000. Më parë Bashkia ka emëruar të paktën dy shkolla në nder të ish-publicistëve Andrea Stefani dhe Ardian Klosi.

Nuk ka informacion konkret se cila rrugë do të emërtohet në nder të Fatos Baxhakut.

Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare më 16 gusht 2019 për shkak të një sëmundje të rëndë.

Pjesë e gazetarëve të parë që lëruan dhe ngritën shtypin shqiptar pas rënies së diktaturës ai spikati për natyrën e veçantë të të shkruarit dhe qasjes kritike e intelektuale në shumicën e çështjeve, që trajtoi në publicistikë, artikuj, reportazhe apo dokumentarë.