Një rrëfim personal…, kënga e re “S’ta Fal” rikthen Kejvi Boriçin me një tekst të shkruajtur nga vetë ai

Pas një pauze prej tre vitesh nga skena muzikore, artisti i ri i talentuar Kejvi Boriçi ka bërë një rikthim në tregun muzikor me këngën e tij të re, “S’ta Fal”. Ky projekt shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij, duke qenë kënga e parë që ai ka shkruar vetë dhe përshkruan një ndjenjat e tij personale.

Boriçi teksa ka anoncuar datën e publikimit ka ndarë një mesazh me ndjekësit, duke theksuar se ka derdhur shpirtin e tij në të dhe ka punuar shumë për realizimin e saj. Ai e përshkruan këtë projekt si një udhëtim terapeutik, një proces çlirimi nga situata toksike të së kaluarës që e kanë prekur thellë. Kënga është një dritare drejt zemrës dhe shpirtit të artistit, një përpjekje për të ndarë me të tjerët emocionet dhe përvojat e tij.

Në mesazhin e tij, Boriçi shpreh falënderime të veçanta për producentin e tij dhe mbështetësin më të madh, Briz Musaraj. Ai gjithashtu falënderon Olimpia Smajlajn për back vokalet në këtë këngë dhe nuk harron të përmendë njerëzit e tij të dashur, të cilët kanë qenë aty për të në çdo moment.
“S’ta Fal” është një këngë që prek në thellësi të shpirtit dhe Boriçi shpreson që të gjithë ata që e dëgjojnë, të gjejnë një pjesë të vetes në të dhe të përjetojnë një proces shërues, ashtu siç ka qenë për të gjatë krijimit të saj.
Kënga është publikuar nga GO Digital Music në kanalin zyrtar të këngëtarit dhe më pas do të jetë e disponueshme në të gjitha platformat muzikore.