Një në katër gra përjetojnë abuzim në familje para moshës 50-vjeçare

Më shumë se një në katër gra në mbarë botën përjetojnë dhunë në familje para moshës 50 vjeç, sipas një analize më të madh të këtij lloji, duke nxitur thirrje për veprime urgjente për t’i dhënë fund abuzimit.

Analiza e 366 studimeve që përfshinin më shumë se 2 milionë gra arriti në një vlerësim se 27% e grave të moshës 15 deri në 49 vjeç kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga një partner mashkull gjatë jetës së tyre. Një në çdo shtatë gra (13%), pothuajse 500 milionë në mbarë botën, ka përjetuar dhunë në familje gjatë vitit të fundit.

Për shkak se studimet, të kryera ndërmjet viteve 2000 dhe 2018, u bazuan në përvoja të vetë-raportuara dhe duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme dhe të stigmatizuar të çështjes, shkalla e vërtetë e dhunës mund të jetë edhe më e lartë, thanë studiuesit. Pandemia e Covid ka të ngjarë të ketë kontribuar në shtimin e rasteve, shtuan ata.

“Dhuna nga partneri intim ndikon në jetën e miliona grave, fëmijëve, familjeve dhe shoqërive në mbarë botën”, tha autorja kryesore e studimit, Claudia García-Moreno, nga OBSH. “Edhe pse ky studim u zhvillua para pandemisë Covid-19, shifrat janë alarmante dhe hulumtimi ka treguar se pandemia ka përkeqësuar çështjet që çojnë në dhunën e partnerit intim si izolimi, depresioni, ankthi dhe përdorimi i alkoolit, si dhe reduktimi i aksesit në shërbimet mbështetëse.

García-Moreno tha se përparimi i bërë gjatë 20 viteve të fundit ishte “jashtëzakonisht i pamjaftueshëm” për të përmbushur objektivat globale për eliminimin e dhunës ndaj grave deri në vitin 2030.