Nisma që po bën bashkë gratë sipërmarrëse të Ballkanit Perëndimor

“Gratë sipërmarrëse të vitit të Ballkanit Perëndimor”, quhet nisma më e re e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që i është bashkuar edhe “Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë” e cila e ka pjesë të rëndësishme të misionit gruan sipërmarrëse. Qëllimi i kësaj nisme është vlerësimi i të gjitha grave të Ballkanit Perëndimor të cilat kanë dhënë kontributin e tyre në kategori të ndryshme të biznesit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vlerësimi i tyre do të finalizohet përmes disa çmimeve, konkretisht do vlerësohen me çmime 6 gra të cilat do të përzgjidhen sipas kategorive.

Këto kategori janë:

– Gruaja sipërmarrëse e gjelbërt – kushtuar grave sipërmarrëse që kanë zhvilluar ose përqafuar inovacione teknologjike, investime, metoda të gjelbra të prodhimit etj, që synojnë reduktimin e rrezikut mjedisor, minimizimin e ndotjes etj;

– Gruaja sipërmarrëse kreative – kushtuar grave sipërmarrëse që kanë zhvilluar një kompani të njohur në lidhje me artet, kulturën, dizajnin, moden, stilin e jetës etj;

– Gruaja sipërmarrëse e udhëtimit dhe mikëpritjes – kushtuar grave sipërmarrëse që kanë krijuar një kompani me ndikim pozitiv socio-ekonomik, duke kapërcyer me sukses sfidat që pandemia e Covid-19 solli në industrinë e udhëtimit dhe mikëpritjes;

– Gruaja sipërmarrëse rome – kushtuar grave sipërmarrëse që demonstrojnë aftësi për të luftuar steriotipet dhe varfërinë, duke krijuar vende pune të denjë për grupet e pa favorizuara, siç janë gratë rome;

– Gruaja sipërmarrëse start up – kushtuar grave sipërmarrëse që sapo kanë krijuar një biznes (biznes 1-3 vjeçar), duke demonstruar zgjidhje inovative dhe potencial rritjeje;

– Gruaja sipërmarrëse e re – dedikuar grave të reja sipërmarrëse deri në moshën 30 vjeç, duke demonstruar fuqizim ekonomik dhe inovacion;

Se cilën grua sipërmarrëse dhe në cilën kategori, mund ta vendosni edhe JU, duke e nominuar atë, përmes plotësimit të një formulari në adresën: Regional Cooperation Council | Nomination form (rcc.int).
Formulari duhet të jetë i plotësuar brenda datës 4 mars.

Çmimet do të ndahen në datë 11 mars 2022 gjatë Konferencës për Gratë Sipërmarrëse që do të mbahet në Tiranë.

Për të marrë më tepër informacion mbi nismën, mund të klikoni në linkun https://www.rcc.int/women-entrepreneurs-of-the-year.