Nisin punimet në Portin e Shëngjinit për pritjen e refugjatëve

Punimet në portin e Shëngjinit kanë nisur për të pritur refugjatët e vendeve të treta që vijnë nga Italia, pas marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe atij të Italisë.

Mësohet se prej dy ditësh është rrethuar një perimetër i madh në të cilin është parashikuar që të ngrihet edhe kampi, nga ku do të bëhet regjistrimi i të gjithë refugjatëve.

Në fakt nuk ka ende asnjë informacion mbi detaje e projektit nga Drejtoria e Portit, por media të ndryshme kanë arritur të sigurojnë pamje ku shihen disa makineri të stacionuara në port.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 19 shkurt, i dha dritën jeshile marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Kjo marrëveshje u votua pas tre ditësh në Kuvend me 77 vota pro.

Marrëveshja e cila parashikon ngritjen e kampit të emigrantëve mori edhe 3 votat e PDIU-së. SIpas marrëveshjes, duke filluar nga pranvera e këtij viti Italia do të nisë dërgimin e refugjatëve.