Nis plotësimi i formularit A1 për maturantët

Ka nisur plotësimi online i formularit A1, pranë portalit qeveritar e-Albania për maturantët.

Veç hedhjes së të dhënave personale, maturantët zgjedhin lëndën që do kenë si provim me zgjedhje në maturë.
Ata që e plotësojnë të parët formularin janë maturantët e gjimnazeve të cilët janë pjesë e Drejtorisë Rajonale Arsimore Durrës, ku përfshihet dhe Tirana.

“Për Tiranën është nga data 22 deri në datë 24 Janar funksionimi i sistemit edhe zgjedhja e tyre ka qenë proces pa problematika.”
Sipas drejtueses së gjimnazit “Sami Frashëri”, nxënësit suportohen dhe nga mësuesit për plotësimin e formularin si dhe këshillohen për lëndët që do përzgjedhin.

“Shkolla përveç informimit dhe trajnimit ka ofruar hapësirat për të bërë aplikim nëse ata dëshirojnë ta bëjnë aplikimin në shkollë. Sepse është e thjeshtë për të aplikuar, mund të bëhet dhe nga telefoni, por ata që zgjedhin të aplikojnë në shkollë e bëjnë për çështje sigurie. Për plotësimin e formularit ku lënda duhet të jetë e përcaktuar, ata kanë nevojë për një lloj suporti.”

Një pjesë e maturantëve të gjimnazit “Sami Frashërit” që e plotësuan formularin kanë treguar se nuk kanë hasur probleme. Mes lëndëve me zgjedhje mbizotërojnë Ekonomia dhe Kimia, në varësi se ku duan të studiojnë.

Për maturantët e drejtorive të tjera arsimore, Fier, Korçë dhe Lezhë, afatet e aplikimit janë nga data 26 Janari deri më 7 Shkurt.