Nis peticioni kundër lavdërimit të periudhës së diktaturës në Shqipëri

Një peticion kundër lavdërimit të periudhës së diktaturës dhe promovimit të ish-funksionarëve të saj. Kjo është nisma e prezantuar së fundmi nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë me rastin e eventit të përvitshëm “Ditët e Kujtesës”.

Organizata joqeveritare, e cila mbështetet nga Fondacioni Konrad Adenauer, synon t’ia paraqesë peticionin parlamentit për t’i kërkuar më pas një legjislacion të veçantë që do të ndalojë glorifikimin e ish-regjimit komunist të diktatorit Hoxha.

Në peticion thuhet se ndryshimet në Kodin Penal duhet të ndjekin modelet e vendosura nga shtetet e Bashkimit Evropian që kanë ndaluar një gjë të tillë për regjimet totalitare si fashiste apo naziste.

Nisma kërkon verifikimin e funksionarëve dhe drejtuesve të institucioneve shtetërore për lidhjet me regjimin e mëparshëm dhe se aktivitetet kriminale të Sigurimit të Shtetit duhet të zbardhen plotësisht për publikun.

Gjithashtu peticioni kërkon rishikimin e emrave të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve, si dhe programet shkollore.

Për çështjet e së shkuarës diktatoriale Shqipëria ka miratuar dy rezoluta, duke dënuar krimet e regjimit komunist në vitin 2006 dhe duke dënuar krimet kundër klerit në vitin 2016, por zbatimi i këtyre rezolutave ka qenë i papërfillshëm.

Vitet e fundit në opinionin publik ka pasur debate të nxitura nga qëndrime të paktën dy deputetëve rreth diktaturës. Njëri prej tyre shprehte vlerësim pozitiv për regjimin ndërsa një tjetër në Ditën e Pavarësisë shpërndau fotografi të diktatorit në grupin e komisionit të medias.

Gjatë 30 viteve të fundit periudha diktatoriale në Shqipëri nuk u kalua me reflektim. Shpesh me rastin e festave të dikurshme të regjimit, ithtarë të diktatorit rikthehen duke evokuar rikthimin e komunizmit. Madje disa prej tyre nuk kursejnë as gjuhën e urrejtjes ndaj atyre që kërkojnë më tepër reflektim.

Ish-kryetari i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, u detyrua të emigrojë në Zvicër pas kërcënimeve të vazhdueshme në rrjetet sociale nga grupe konservatore nostalgjike të regjimit.