Nis nesër muaji i shenjtë i Ramazanit, Spahiu videomesazh për shqiptarët

Besimtarët myslimanë anembanë botës do të nisin nesër muajin e Ramazanit, që konsiderohet muaji më i shenjtë i kalendarit islam. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka publikuar një videomesazh ku i uron të gjithë shqiptarët për një muaj me sa më shumë paqe dhe begati.

Ai thekson se Ramazani nuk është muaj diete, por muaj adhurimi, përmes të cilit njeriu ka mundësinë e artë të arrijë kënaqësinë e Zotit e përmes kësaj arritjeje të begatojë veten e tij me mirësi në këtë botë dhe atë të përtejme.

“Muaji i bekuar i Ramazanit është një mundësi dhe favor i jashtëzakonshëm që Zoti na ka dhuruar për të pastruar shpirtin dhe trupin. Ramazani nuk është muaj diete, por muaj adhurimi, përmes të cilit njeriu ka mundësinë e artë të arrijë kënaqësinë e Zotit e përmes kësaj arritjeje të begatojë veten e tij me mirësi në këtë botë dhe atë të përtejme. E lusim Zotin të na mundësojë që të dalim të falur në fund të këtij muaji dhe të nisim një jetë të re. E lusim Zotin të na bëjë këtë muaj paqe e begati”.