
Nis në Britani skema pilot e punës me 4 ditë në javë
Prej vitesh zhvillohen diskutime dhe pse jo edhe debate mbi punën 4-ditore. Këto diskutime janë shtuar për shkak të pandemisë së koronavirusit, që solli një ndryshim global mbi mënyrën se si ne punojmë.
Britania është një prej vendeve që ka vendosur të realizojë një provë 6 mujore me punë 4 ditore në javë.
Konkretisht janë rreth 30 kompani britanike, punonjësit e të cilëve do të marrin pjesë në skemën pilot, me punonjësit që paguhen me të njëjtën pagesë, sikur të punonin 5 ditë në javë.
Skema pilote drejtohet nga “4 Day Week Global” në partneritet me institutin Autonomy.
Personat që marrin pjesë në skemë iu kërkohet të ruajnë produktivitetin 100 %, por vetëm në 80 për qind të kohës duke qenë se tani do të kenë një ditë shtesë pushimi për çdo javë.
Projekti pritet të nisë edhe në shtetet si Australi, Zelandë e Re, Irlandë, Kanada dhe SHBA.
Joe O’Connor, Drejtuesi i programit pilot për 4 Day Week Global Joe O’Connor, thotë për mediat britanike:
“Gjithnjë e më shumë biznese po kalojnë drejt strategjive të përqendruara në produktivitet për t’i mundësuar që të reduktojnë orët e punëtorëve pa ulur pagën. 2022 do të jetë viti që paralajmëron këtë të ardhme të re të guximshme të punës.”