AlbanianEnglish

Nis me ceremoni ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar

Të mërkurën nisën zyrtarisht punimet për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Punimet nisën me një ceremoni simbolike të vendosjes së gurthemelit, në të cilën morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ministrja Elva Margariti, artistë, qytetarë si dhe arkitekti danez Bjarke Ingels i cili ka ideuar projektin.

Kryeministri Rama e konsideroi një vepër mbresëlënëse projektin e Ingels. Ai e paralelizoi atë me projektin e stadiumit kombëtar, pa të cilin, sipas tij Tirana nuk do të mund të kthehej në pikë tërheqëse për aktivitetet ndërkombëtare siç ishte rasti i finales së Europa League-ës.

Paralelisht Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj theksoi se projekti i jep aktorëve dhe spektatorëve kushtet e dëshiruara për shfaqje më bashkëkohore si dhe vetë qytetit një godinë të shekullit XXI. Veliaj këmbënguli se teatri do të bëhet në tokën e tij, pa lëshuar asnjë centimetër truall, me para publike dhe do të jetë 9 herë më i madh, më i fortë dhe bukur se ai i mëparshmi.

Projekti i Teatrit të ri kombëtar u konceptua rreth pesë vite më parë. Ai u shoqërua me debate për faktin se qeveria parashikoi që të ndërtohej në partneritet me privatin, ku këtij të fundit i jepej truall publik dhe leje për të ndërtuar pallate pas godinës ekzsituese.

Një grup artistësh dhe qytetarësh e kundërshtoi projektin duke theksuar se godina kishte vlera të trashëgimisë kulturore dhe për këtë duhej rindërtuar. Ata kërkuan që projekti i ri të zbatohej diku tjetër ndërsa godina të vlerësohej për historinë e saj.

Paralelisht Bashkia Tiranë nisi bisedimet me investitorin privat, ndërkohë pas një vendimi të këshillit bashkiak godina u shemb me forcë më 17 maj 2020. Më tej Bashkia njoftoi se investitori privat qe tërhequr nga projekti dhe se teatrin do ta ndërtonte gjithësesi me mbështetjen e qeverisë.

Të mërkurën Veliaj e konsideroi kohë të humbur ndalesën prej kundërshtive teksa këmbënguli se tanimë Tirana meriton të ketë projekte madhore si kjo e Ingels, arkitekti i njohur botërisht për stilin dhe veprat e tij.

You don't have permission to register