Nigeria nis shfrytëzimin e burimeve të reja të naftës

Kompania shtetërore e prodhimit të hidrokarbureve në Nigeri ka nisur zyrtarisht shpimin për naftë dhe gaz në rajonin më verior të vendit.

NNPC e ka nisur më shpejt se sa parashikohej këtë fazë prodhimi duke u nxitur nga nevoja e shtuar botërore për naftë.

Presidenti i Nigerisë, Mahmmadu Buhari tha se rajoni verior ka rezerva prej 1 miliard fuçi dhe 500 miliardë metra kub gaz, të cilat parashikohet të gjenerojnë mbi 3 miliardë dollarë të ardhura.

Projekti qeveritar parashikon ndërtimin e një rafinerie, njësitë shtesë të përpunimit të gazit, një termocentral me kapacitet 300MW dhe një fabrikë plehërimi.

Prej disa dekadash rajoni verior është shkatërruar nga derdhjet e naftës në tokat bujqësore, përrenjtë dhe lagunat. Në këtë zonë Nigeria ka luftuar një kryengritje të armatosur nga fraksione ekstremistësh fetar.

Drejtuesit e kompanisë NNPC thonë se zona ka potencial për të zbuluar të tjera burime me shkallë të gjerë nafte.

Nafta e papërpunuar është eksporti kryesor i Nigerisë. Megjithatë, pasiguria në rajonet e thella dhe korrupsioni kanë penguar prodhimin, duke bërë që vendi të humbasë statusin e tij si prodhuesi kryesor në Afrikë.

Si pasojë, kompanitë më të mëdha të naftës në Nigeri po përqendrohen gjithnjë e më shumë në shpimet në det të hapur.

Ekspertët thonë se nafta është “nganjëherë një mallkim” sepse problemet vijnë me një produkt që “ngjall oreks të madh për krimin e organizuar”.

Përdorimi i lëndëve djegëse fosile ishte një nga çështjet kryesore në bisedimet e fundit për klimën në takimin e G27-ës në Egjipt.

Disa vende kanë kritikuar shtyrjen e objektivit të heqjes nga përdorimi të hidrokarbureve. Por vendet e varfra në prodhimin e energjisë elektrike në Afrikë janë justifikuar me të drejtën e tyre për t’u zhvilluar ekonomikisht.

Marrëveshja përfundimtare në Egjipt ngjalli kritika pasi nuk nxit më shumë angazhime për uljen e emetimeve të karbonit.