Ngrihet ‘Shtëpia e Biznesit’, Rama: Do adresohen problemet

Shtëpia e Biznesit quhet struktura e re e ngritur në shërbim të dialogut të institucionalizuar mes qeverisë dhe biznesit, e cila është e vendosur pranë Kryeministrisë, në njërin prej kubave të Piramidës.

Në çeljen e saj, mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama i cili tha se do shërbejë për të adresuar problemin.

Rama:

“Të krijuarit e një ure të tillë të hapurit e një dere të tillë që është një derë e drejtëpërdrejtë me tryezën e qeverisë është rruga më e mirë më e thjeshtë dhe më e shpejtë për të adresuar problemin.”

Kryeministri solli në vëmendje krizën që ka përfshirë biznesin fason ku tha se dëmtimi i industrisë fason nuk po vjen nga rënia e euros, por sepse biznesi duhet të përshtatet me tregun.

“Nuk lidhet thjeshtë me Euron. Kjo ditë do të vinte sepse koha e shfrytëzimit të krahut të lirë të punës si avantazh konkurues në treg ka vdekur prej kohësh dhe kush e ka kuptuar prej kohësh që ajo kohë ka vdekur në atë industri ka marrë masat për tu adaptuar.Unë jam në dispozicion kur të duhet që të vij për të bërë ndonjë bisedë edhe këtë përshembull me industrinë fason mund t’i ftoni. Unë jam i gatshëm që të vij që javën tjetër.”

Shtëpia e Biznesit do shërbejë gjithashtu si vend pikëtakimi i përjavshëm i sekretariateve teknike të Këshillit Ekonomik Kombëtar që do ngrihen në vijim.