Ngrihet grupi i punës për reformat. Dalin emrat e 4 anëtarëve nga PS-PD

PS dhe PD i kanë tashmë gati emrat e anëtarëve për grupin e punës për reformat si dhe dy komisionet hetimore.

Pas mbledhjes së grupit Gazment Bardhi sqaroi se dera i është lënë e hapur mbështetësve të Lulzim Bashës, por jo këtij të fundit.

“Nuk i kemi lënë një vend Lulzim Bashës. Propozimi i grupit parlamentar të PD është si më poshtë. Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho dhe vendi i tretë i është dedikuar kolegëve brenda grupit parlamentar që ndajnë një mendim ndryshe mbi zhvillimet në PD”.

Edhe socialistët i kanë gati emrat e dy prej anëtarëve të këtij grupi pune pjesë e të cilit do jenë Damian Gjiknuri dhe Klotilda Bushka.

Komisioni Hetimor për TIMS-in nga demokratët do kryesohet nga Ervin Salianji, ndërsa socialistët kanë vendosur nënkryetar Plarent Ndrecën.

Albana Vokshi do drejtojë Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi, ndërsa nënkryetar do jetë socialisti Toni Gogu.

Kreu i grupit të demokratëve hodhi poshtë akuzat e Lulzim Bashës i cili ka thënë se kjo marrëveshje është pazar me Edi Ramën.

I pyetur në lidhje me projektin e dhëndrit të ish-Presidentit Trump në Sazan, Bardhi dha këtë përgjigje.

“Në parim mbështesim çdo investim të huaj, por çdo investim i huaj do duhet të miratohet në transparencë të plotë, në përputhje me ligjin, në një garë të hapur”.

Sa për Amnistinë Penale, Bardhi nuk përjashtoi votën pro.

Ai theksoi se PD është kundër faljes së zyrtarëve të dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.