
Nga Presidenti tek kryeministri dhe deputetët, sa do e kenë rrogën me ligjin e ri
Pas shumë debatesh e diskutimesh, është miratuar ligji për pagat e reja, mes tyre edhe të krerëve të shtetit.
Pra me pak fjalë, sa do e ketë rrogën Presidenti?
Paga e presidentit, aktualisht Bajram Begaj është me e larta, e cila shkon në 425 mijë lekë, ose 4 milionë e 250 mijë lekë të vjetra. Kjo pagë është përcaktuar edhe si pagë referencë, pra i paraprin të gjithë hierarkisë së pagave për të gjitha postet e tjera të larta.
Dy zyrtarët e tjerë të lartë më të paguar janë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, aktualisht Edi Rama dhe Lindita Nikolla. Me ligjin e ri, ato do të paguhen njëlloj, nga 393 125 lekë, ose mbi 3 milionë lekë të vjetra.
Ndërsa ministrat do të paguhen me 318 750 lekë.
Deputetët do kenë rrogën mujore me 310 250 lekë.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 95 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për rritjen e pagave edhe të punonjësve të administratës. Zbatimi do të nisë nga data 1 prill ku përfitojnë 130 mijë punonjës të administratës.
Rritja e pagës mesatare në 900 euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 46,5 milionë euro. Nga 74 mijë e 450 lekë apo 650 euro që aktualisht paga mesatare është, shtesa për të arritur objektivin është 250 euro. Administrata publike aktualisht, përfshirë pushtetin qendror dhe atë vendor numëron rreth 186 mijë të punësuar.