Nga Madridi në Rinas, mbërrijnë 152 pasagjerët e parë nga linja direkte

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mirëpritur sot 152 pasagjerët e parë që zbritën në Rinas nga Madridi, me linjën e re të fluturimeve të kompanisë Iberia.

Kryeministri Edi Rama bëri njoftimin në rrjetet sociale ku tregoi edhe mikpritjen e stafit dhe pasagjerëve të parë.

Rama bëri me dije se çdo të martë, të enjte dhe të diel, Iberia do mundësojë transportin e pasagjerëve nga Madridi në Tiranë dhe anasjelltas.

“Çdo të martë, të enjte e të diel nga Madridi në Tiranë dhe anasjelltas, me një kapacitet rreth 30 mijë pasagjerë për sezonin veror, Iberia do të ofrojë më shumë mundësi për vizitorët spanjollë, që janë ndër grupet e turistëve me rritjen më të shpejtë dhe e vizitojnë Shqipërinë gjatë gjithë vitit”.