
Nga Kukësi në Londër, talenti shqiptar që po shkëlqen në MMA
Florian Marku, nga Anglia, bëri të njohur për shqiptarët Artet Marciale Mikse (MMA-në). Së fundmi sukseset e tij e kanë katapultuar lart edhe në boks ku ka mundur të fitojë titullin kampion në federatën IBF për peshat e lehta.
Por përtej Markut, në Angli ka plot shqiptarë që ëndërrojnë sukseset në ring. Një prej tyre është 17-vjeçari Kledi Disha, i cili dy vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e ekspertëve pasi ka kaluar suksesshëm nga kickboxi te ringu heksagonal i MMA-së.
Disha tha për kanalin informativ të platformës TIBO, Tibo-News, se dëshirën për t’u ndeshur e ka trashëguar nga gjyshi në Kukës, i cili ka qenë mundës. Ai thotë se e mban me krenari flamurin shqiptar dhe se i mbron bashkëkombësit e tij.

Kledi Disha duke u stërvitur, Angli.
“Në rradhë të parë jam krenar që kam gjak shqiptari. Ne si shqiptarë kemi zemër dhe ky sport do zemër. Gjthmonë, kur shqiptarët e rinj vijnë këtej, i mbroj dhe i mbaj afër sepse e di se çfarë do të thotë të bullizohesh”, tha Disha duke folur për gazetarin Gëzim Hilaj.
Nga rreth 400 sportistë amatorë që ka të regjistruar Britania e Madhe në peshat e lehta deri në 77 kilogramë, Disha renditet në mes të listës për nga rezultatet. Ai ka një perspektivë të qartë për të ardhmen.
“Ëndrra ime është të nënshkruaj një kontratë me UFC-në”, u shpreh talenti shqiptar.
Në muajin mars ai pritet të ndeshet me Kean Kelly, por shprehet i sigurt dhe me besim se do mund të marrë rezultat pozitiv. Për sa i përket frymëzimit, egoja e tij shkon përtej Florian Markut. Ai ka si idhull numrin 9-të të renditjes botërore.
“Unë kam një idhull, ai quhet Conor McGregor. Gjithmonë kam thënë se do të bëhem si ai dhe madje [pse jo] më i mirë se ai”, u shpreh sportisti shqiptar.
Më 1 tetor Disha u ndesh me Patrick Pigott, të cilin e mundi për 42 sekonda me “KO”. Më herët, në korrik, ai qe shfaqur në “MMA Battle Arena” një event në Angli që prej një dekade promovon sportistët amatorë. Disha u përball me Kyran Newbery.

Kledi Disha duke u stërvitur, Angli.