Nga 15 marsi kufiri i Greqisë i hapur për shqiptarët, këto janë rregullat e udhëtimit

Duke filluar nga 15 marsi Greqia lehtëson masat për udhëtimet në kushtet e Covid, duke hequr detyrimin për të plotësuar formularin e nevojshëm për hyjen në territor. Autoritetet greke thonë se heqja e këtij formulari lehtëson procedurat e hyrjes në Greqi, por kjo masë i jep peshë kontrollit të certifikatave të vaksinimit. Ndërkaq, ministria e Punëve të jashtme në Shqipëri njofton se nga 5 marsi, do të rritet edhe kapaciteti i pasagjerëve për autobusët turistike nga 85 në 100 %.  Pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafbotës funksionojnë gjatë 24 orëve. Pika kufitare e Tre Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00

Lexo njoftimin e plotë si më poshtë:

Nga data 15 mars 2022, për udhëtimet drejt Greqisë:

  • Kufiri mbetet i hapur për të gjithë shtetasit shqiptarë.
  • Formulari PLF nuk do të kërkohet.
  • Udhëtarët, të cilët disponojnë certifikatën evropiane dixhitale Covid-19 (European Union Digital Covid Certificate, EUDCC) ose certifikatë vaksinimi (certifikata hyn në fuqi 14 ditë pas vaksinimit të plotë dhe është e vlefshme jo më shumë se 9 muaj kurse për ata që kanë bërë dozën përforcuese nuk ka një afat kohor) ose certifikatë diagnoze pozitive (hyn në fuqi pas 14 ditësh dhe është e vlefshme per 180 ditë), lejohen tashmë të hyjnë në Greqi pa kërkesën e një testi PCR ose një testi të shpejtë (rapid).
  •  Udhëtarët, të cilët nuk disponojnë një certifikatë vaksinimi ose diagnoze janë të detyruar të paraqesin:
  • 1. Test negativ PCR COVID-19, të kryer brenda (72) orëve të fundit para mbërritjes së tyre në Greqi nga laboratorët e vendit të origjinës ose transit.  OSE
  • 2. Test negativ të shpejtë (rapid test),të kryer brenda 24 orëve të fundit përpara mbërritjes së tyre në Greqi. Testet duhet të jenë kryer nga laboratorë publik ose laboratorë privatë, që janë certifikuar nga autoriteti kombëtar kompetent i certifikimit. Certifikata e testit duhet të jetë në greqisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht ose rusisht dhe duhet të përfshijë emrin e personit, siç është në pasaportë.
  • Nga data 5 mars 2022, do të rritet kapaciteti i pasagjerëve për autobuzat turistikë nga 85% në 100%.
  • Pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafbotës funksionojnë gjatë 24 orëve. Pika kufitare e Tre Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00