Neymar në gjyq për mashtrim

Futbollisti brazilian Neymar është paraqitur këtë javë në një gjykatë spanjolle. Ai dhe 8-të të tjerë akuzohen për evazion fiskal dhe mashtrim në rastin e transferimit nga Santosi te Barcelona në vitin 2013.

Prokurorët spanjollë kërkojnë 2 vite burg dhe 10 milionë euro gjobë për futbollistin si dhe 5 vite burg për ish-presidentin e klubit të Barcelonës, Sandro Rosell. Gjithahstu edhe 8 milionë euro gjobë për katalanasit.

Çështja ka në thelb pretendimet e kompanisë braziliane të investimeve DIS, e cila zotëronte 40% të të drejtave të shërbimeve si futbollist të Neymarit, kur ai luante për Santosin.

Kompania pretendon se është paguar shumë më pak nga vlera që i takonte në rastin e prishjes së kontratës. Avokati i DIS, Paulo Nasser, tha se kostoja reale e transaksionit mes klubit të Santosit dhe Barcelonës ishte rreth 80 milionë euro, ndërkohë që në llogaritë e DIS kaluan vetëm 16.5 milionë.

DIS ka kërkuar dënim të rëndë për Neymar. Ata kërkojnë 5 vite burg dhe gjobë mbi 145 milionë euro dhe që futbollisti të pezullohet nga aktiviteti.

Të gjithë të pandehurit kanë mohuar akuzat.

Neymar, futbollist kryesor i përfaqësueses braziliane, sheh përpara angazhimin në botërorin e Katarit, që nis zyrtarisht më 20 nëntor. Në vitin 2017 ai humbi një apel në Gjykatën e Lartë, e cila e ktheu për rigjykim.

*Tibo News