Nesër hapet Tuneli i Llogarasë, ja detajet

Nesër do të hapet Tuneli i Llogarasë për qarkullimin e makinave, pasi po kryhen edhe punimet e fundit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zv/kryeministrja e cila shoqërohej nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ndoqi nga afër punimet e fundit dhe tha se në kantier do të vazhdohet puna, pasi po dorëzohet para afatit.

Belinda Balluku tha:

“Sigurisht në kantier do të vazhdohet puna, pasi po dorëzohet para afatit, ashtu siç kemi bërë tashmë me të gjitha veprat tona të mëdha infrastrukturore, por tuneli i Llogarasë ka një vlerë tjetër edhe për historikun e infrastrukturës shqiptare. Unë e quaj një gur kilometrik, pasi bëhet fjalë për një tunel i cili është 5.9 kilometra i gjatë, dhe është një nga veprat infrastrukturore të kategorisë së rëndësishme përsa i përket tuneleve edhe në rang Europe. Futet në tunelet e gjatësisë së madhe”.

Balluku shtoi se ndërtimi i kësaj vepre është një tjetër premtim i mbajtur, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat për sa i takon mirëmenaxhimit të kësaj vepre.

“Duke pasur parasysh që ky është një tunel totalisht modern nga ana e konstruksionit, por nga ana tjetër duhet të keni parasysh se është një tunel i menaxhuar në mënyrë elektronike, dixhitale. Në hyrje, në anën e Dukatit kemi të vendosur qendrën e monitorimit të këtij tuneli, një qendër totalisht e ngritur mbi dixhitalizimin që në të ardhmen mendojmë që të përdorim dhe inteligjencën artificiale për të menaxhuar të gjithë flukset e tunelit, për të kontrolluar sigurinë rrugore brenda këtij tuneli”.

Ndërkaq drejtori i ARRSH bëri me dije se në bashkëpunim me policinë rrugore është përgatitur edhe plani i menaxhimit të trafikut për muajt në vijim:

“Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Rrugore. Është i përgatitur plani i menaxhimit të trafikut gjatë 3 muajve në vazhdim, përsa kohë të jetë në operim tuneli. Shpresojmë që përdoruesit e tunelit të ecin me shpejtësinë e rekomanduar nga Autoriteti Rrugor dhe Policia Rrugore. Jemi gati”.

Edhe kryebashkiaku Dredha tha se tuneli i Llogarasë e lidh Vlorën me pjesën tjetër të bregdetit jugor në një kohe shumë më të shpejtë dhe më me siguri të lartë.

Tuneli i llogarasë hapet zyrtarisht të premten në orën 10:00. Tuneli ka një gjatësi prej 5.9 kilometrash.  Tuneli shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, por duke garantuar edhe më shumë siguri rrugore.