Nervozohet Erdogan pas djegies së Kuranit në Suedi: Do u mësojmë perëndimorëve arrogantë se…

Dhjetra njerëz kanë sulmuar kompleksin e ambasadës suedeze në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, pasi një Kuran u dogj gjatë një proteste në Suedi.

Salwan Momika, irakian që jetonte në Suedi, i vuri zjarrin një kopje të librit të shenjtë të Islamit jashtë xhamisë qendrore të Stokholmit të mërkurën.

Djegia e Kuranit u dënua nga shumë vende me shumicë myslimane.

Një turmë u mblodh jashtë ambasadës në Bagdad të enjten pasi një klerik i fuqishëm bëri thirrje për një protestë “të zemëruar”.

Videot e postuara në rrjetet sociale tregonin dhjetëra protestues duke ecur brenda oborrit.

Myslimanët e konsiderojnë Kuranin fjalën e shenjtë të Zotit dhe e shohin çdo dëmtim të qëllimshëm apo shfaqje të mosrespektimit ndaj tij si thellësisht ofenduese.

Djegia e Kuranit të mërkurën ndodhi teksa myslimanët në mbarë botën festuan ditën e parë të Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin mysliman.

Policia suedeze i kishte dhënë Momika një leje për protestën, në përputhje me ligjet e fjalës së lirë. Por më vonë policia tha se incidenti ishte duke u hetuar për nxitje urrejtjeje.

Incidenti ka ngjallur gjithashtu zemërim në vende të tjera me shumicë myslimane, përfshirë Turqinë – një anëtare e NATO-s, e cila ka të drejtë të thotë nëse Suedia gjithashtu fiton anëtarësimin.

Turqia e cila u zemërua gjithashtu nga një protestë për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti tha se ishte “e papranueshme” të lejoheshin “veprime të tilla anti-islamike” të ndodhnin “nën pretekstin e lirisë së shprehjes”.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha: “Ne do t’i mësojmë përfundimisht perëndimorët arrogantë se fyerja e muslimanëve nuk është liri e mendimit”.