Në kulmin e sezonit turistik, rriten çmimet e pijeve freskuese

Tregtarët e pijeve freskuese kanë lajmëruar këto ditë tregtarët e pakicës se do të rrisin çmimet e produkteve këtë muaj. Linjat e pakicës janë njoftuar se, rritja e çmimeve do të jetë 10-20% për lloje të ndryshme të paketimeve.

Rritja më e madhe do të jetë për lëngjet e frutave në kanaçe, që do të kushtojë 80 lekë nga 60 lekë që shiten aktualisht. Tregu i këtyre produkteve po përballet me krizë të shumëfishtë që po vjen nga kostot e lëndëve të para dhe rënia e konsumit dhe ndryshimi i stilit të jetesës.

Popullsia e Shqipërisë po tkurret nga viti në vit nga emigracioni i lartë i moshave të reja që janë konsumatorët kryesorë të pijeve freskuese. Ikja e njerëzve krijon deficit të menjëhershëm në konsum, i cili po reflektohet jo vetëm tek pijet freskuese, por tek të gjitha produktet e tjera. Gjithashtu prirja për t’u ushqyer shëndetshëm po ndikon negativisht tek konsumi i pijeve freskuese të cilat kanë në përbërje të tyre sheqer të shtuar. Kjo tendencë është rritur meë tej pas pandemisë Covid-19.