Ndryshojnë kushtet e hyrjes së shqiptarëve në Gjermani

Gjermania ka përfshirë Shqipërinë  në listën e vendeve me rrezik të lartë nga Covid. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar qytetarët se duke filluar nga data 16 Janar, shqiptarët që udhëtojnë drejt Gjermanisë duhet që para udhëtimit të regjistrohen në faqen e internetit www.einreiseanmeldung.de.

Gjatë regjistrimit, duhet të ngarkoni një dëshmi shërimi nga koronavirusi ose të vërtetoni që jeni plotësisht të vaksinuar.

Në rast se nuk mund të paraqisni asnjërën nga këto dy dëshmi, do t’ju duhet një test i Covid-19 për të hyrë në Gjermani.

Pas mbërritjes do ju duhet të karantinoheni për dhjetë ditë. Pas pesë ditësh, ju mund të testoheni përsëri dhe nëse rezultati i testit është negativ, mund t’i jepni fund karantinës.

Kliko linkun këtu për informacione të mëtejshme.

Ditët e fundit në vendin tonë janë regjistruar shifra tepër të larta të infektuarish me koroanvirus, në disa raste më të lartat që nga nisja e pandemisë së Covid. Ekspertët thonë se kjo ka ndodhur për shkak të variantit Omicron, por edhe Delta, që vijon të jetë i pranishëm në vendin tonë.  Ndonëse, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos i ndryshojë masat e kufizimit, me arsyetimin e rasteve më të ulëta të fataliteteve dhe shtrimeve në spitale.