Ndryshimet e reja fiskale, si do të llogaritet tatimi nga 1 janari për profesionet e lira?

Nga 1 janari do të nisë zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetë punësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore.

Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.

Për shembull. Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 6,960,000 lekë fitim të deklaruar.

Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë është 1,044,000 lekë.

Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë llogarit se 70-80 deri 90% e totalit të bizneseve (duke përfshirë 3 kategoritë e tyre të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) janë me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit.

Financat: Do paguajnë deri 50% më pak tatim se të punësuarit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë llogarit se detyrimi tatimor i profesioneve të lira, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave nga paga minimale është 50% më pak se tatimi mbi të ardhurat që paguajnë të punësuarit.

Nëse për të ardhurat vjetore 1,000,000 lekë një i punësuar paguan 8,3 % tatim një biznes i profesioneve të lira do të paguajë 5,1% sipas Ministrisë së Financave. Për të ardhurat vjetore 2,000,000 lekë një i punësuar taksohet 10,6% ndërsa profesionet e lira do të taksohen 7,8%.

Për të ardhurat vjetore 3,000,000 lekë një i punësuar taksohet 13,44 % ndërsa profesionet e lira do të taksohen 8,7%.  Për të ardhurat vjetore 4,000,000 lekë një i punësuar taksohet 16 % ndërsa profesionet e lira do të taksohen 9,1%.

Për të ardhurat vjetore 5,000,000 lekë një i punësuar taksohet 17,3 % ndërsa profesionet e lira do të taksohen 9,4%. Për të ardhurat vjetore 6,000,000 lekë një i punësuar taksohet 18,2% ndërsa profesionet e lira do të taksohen 9,6%.

Për të ardhurat vjetore 7,000,000 lekë një i punësuar taksohet 18,9% ndërsa profesionet e lira do të taksohen 9,7%. Për të ardhurat vjetore 8,000,000 lekë një i punësuar taksohet 19,4% ndërsa profesionet e lira do të taksohen 9,8%. Për të ardhurat vjetore 9,000,000 lekë një i punësuar taksohet 19,4% ndërsa profesionet e lira do të taksohen 9,9%.

Për të ardhurat vjetore 10,000,000 lekë një i punësuar taksohet 20,1% ndërsa profesionet e lira do të taksohen 10% apo 50% më pak se një i punësuar.

Por për kontabilistin Sotiraq Dhamo nuk nuk mund të ngatërrohen të ardhurat nga punësimi, me të ardhurat e biznesit për shkak të ndryshimeve që ka një person fizik nga një i punësuar, dhe riskut të ndërmarrë nga sipërmarrësit.

“I punësuari punon me orë të kufizuar, jo më shumë se 40 orë në javë dhe ka limite dhe kufizime në pushime, festa, leje zakonshme, raporte dhe një skemë e tërë përfitimesh që ndryshon nga biznesi. Një i punësuar mund të marrë raport apo të dalë në KEMP dhe mund të paguhet me vite nga skemat e kompensimit të sigurimeve.

Një person fizik i vetëpunësuar, ka tjetër skemë pune dhe aktiviteti. Paguan taksa lokale, paguan qira, punëson punëmarrës, ka shpenzime të ndryshme për mbajtjen e aktivitetit.

Ai përpilon fatura, por pavarësisht se të ardhurat sipas faturave janë në një shumë të caktuar, ato si arkëtime mund të jenë zero. Pra, ka diferencë me të punësuarin, sepse të ardhurat nga paga janë të barabarta me arkëtimet nga paga.

Por, i vetëpunësuari si profesion i lirë, ushtron një aktivitet të tërë, për përditësimin e licencës, për pagesën e tarifave, kontrollohet nga bordi, testimet dhe trajnimet, marrja e dëshmisë, dhe në fund përgjegjësia penale dhe ligjore. I punësuari nuk i ka këto detyrime dhe përgjegjësi.

Përveç kësaj, i punësuari mund të ndërrojë vendin e punës sipas dëshirës, ndërsa një i vetëpunësuar nuk e ka këtë luks”, pohoi pas miratimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” në muajin mars 2023 kontabilisti Sotiraq Dhamo për Monitor.

Gjithashtu ai ngriti shqetësimin e mungesës se një analizë përse vendoset taksim progresiv vetëm për shërbimet e profesioneve të lira ndërsa për bizneset tregtare do të vijojë të jetë 0% deri në 2029.

Z. Dhamo shtoi se po ngatërrohen profesionet e lira të rregulluara me ligj me shërbimet e ofruara nga individë jo te licencuar apo të certifikuar profesionalisht nga ndonjë organizëm apo institucion shtetëror apo ligjor.

Për audituesin ligjor, Sokol Toska, ngarkesa tatimore te profesionet e lira është më shumë se nga sa paguajnë korporatat, për shkak se këta tatimpagues përdorin burimet e tyre personale për ushtrimin e veprimtarisë, nuk krijojnë struktura të posaçme siç ndodh me korporatat. Sipas tij, ndryshimet e normave tatimore godasin shtresën e mesme.

“Kjo kategori personash, të cilët janë kryesisht individë të arsimuar apo që zotërojnë nivele të larta të ekspertizës, pjesa më e shëndetshme e shoqërisë, individë me nivel të lartë intelektual, por edhe me guximin për të ndërmarrë veprimtari të pavarura në një mjedis të pasigurt, shtresa shoqërore e përbërë nga individë të lirë që krijon modelet shoqërore të së ardhmes, kjo kategori do të përballet me një ngarkesë tatimore relativisht mjaft të lartë, shoqëruar me pasigurinë që jep mjedisi tatimor dhe modeli politik.

Këta persona, në terma nominalë tatohen si një korporatë, por në terma realë, ngarkesa që do të përballojnë është më e lartë se ajo e korporatave, pasi kjo kategori tatimpaguesish janë individë dhe nuk krijojnë struktura të posaçme për ushtrimin e veprimtarisë.

Këta tatimpagues përdorin burimet e tyre personale për ushtrimin e veprimtarisë, automjete, zyra, kryejnë shpenzime dhe blerje, të cilat është e pamundur të dokumentohen me numrin e regjistrimit NIPT dhe si rrjedhim, këto kosto nuk lejohet të zbriten për qëllime të llogaritjes së tatimit.

Nga ana tjetër, korporatat janë organizime të mirëstrukturuara për qëllime të planifikimit tatimor, përdorin ekspertë, zbatojnë praktika të caktuara dhe arrijnë të optimizojnë ngarkesën tatimore”, tha ai.

 

Shembujt

Si do të llogaritet tatimi 23% për profesionet e lira me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë

Tatimi 15% për fashën e parë të bizneseve me të ardhura vjetore deri 14,000,000 lekë në vit sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale ndaj totalit të të ardhurave vjetore.

Për profesionet e lira të përcaktuar sipas listës të vendimit “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë në vit shpenzimet e zbritshme fikse të padeklaruara në kontabilitet njihen në vlerën 30%.

Për shembull. Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 660,000 lekë fitim të deklaruar në vit.

Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 1,000,000 lekë është 99,000 lekë.

Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 8,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 5,560,000 lekë fitim të deklaruar. Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 8,000,000 lekë është 834,000 lekë.

Nëse një biznes ofrues i shërbimeve të profesioneve të lira me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë- 30% shpenzime- 40,000 lekë të ardhurat nga paga minimale do të ketë 6,960,000 lekë fitim të deklaruar.

Fitimi që do të deklarohet pas zbritjes së shpenzimeve dhe të ardhurave të pagës minimale do të taksohet 15%. Në total detyrimi vjetor i tatimit mbi të ardhurat për biznesin me të ardhura vjetore 10,000,000 lekë është 1,044,000 lekë.

Si do të llogaritet tatimi 23% për profesionet e lira me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë

Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%.

Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.

*Monitor