Ndërtimi i teatrit të ri në dhunim të Gjykatës Kushtetuese, thotë Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka konsideruar “dhunim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese” nisjen e punimeve për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Në një konferencë për shtyp përpara mbledhjes së grupit parlamentar, Berisha tha të mërkurën se Gjykata Kushtetuese e kishte ndaluar procedimin e mëtejshëm në truallin e Teatrit.

“Gjykata Kushtetuese ndalon procedimin e mëtejshëm në atë truall, ia kthen atë qeverisë. Ky është vendi i vetëm ku vendimet e Kushtetueses rrëzohen me vendime të banditëve qeveritarë. Ky është vendi i vetëm në botë ku një vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzohet me një vendim të qeverisë,” – deklaroi Berisha.

Kryetari i PD-së u shpreh se qeveria dhe Bashkia Tiranë me vendimet që po marrin po nxisin përplasje mes qytetarëve. Berisha paralajmëroi gjithashtu ndërtuesit që “të mos bëhen mashë për tekat politike”.