
Ndërron jetë Ahmet Kamberi, “babai” i kardiologjisë shqiptare
Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Profesor Doktor, Ahmet Kamberi. Ai është një prej emrave më të njohur të kardiologjisë shqiptare, ndërsa ka mbajtur edhe postin e ministrit të Shëndetësisë në fillim të viteve ’90. Kamberi mësohet se prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila fatkeqësisht i mori jetën, duke lënë pas një plagë të thellë për familjen dhe miqtë.
“Me pikëllim të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të Prof.Dokt Ahmet Kamberi!
Profesor Ahmeti nderi i Qarkut Dibër, ngelet i paharrueshëm në kujtesën e të njohurve miqve e familjarëve të tij dhe të gjithë dibranëve . Kontributi i tij në shërbim të mjekësisë ,si në vendin ku lindi edhe në rang kombëtar mbetet shumë i vyer.Ai la pas një kujtesë të paharrueshme dhe do të mungojë gjithmonë në zemrat tona. Përjetoi një jetë të mbushur me dashuri , sakrifica dhe vlerësime. Një jetë në shërbim të të sëmurëve. I papërtuar I pakursyer dhe gjithmonë i qeshur, i ambël e I thjeshtë. Jemi të nderuar që e kemi njohur dhe do ta kujtojmë gjithmonë me kujdes dhe respekt.
Shprehim ngushëllimet tona : bashkëshortes Shpresa dhe dy djemve të tij Blerimit e Gencit dhe gjithë familjarëve e të afërmve të të ndjerit!
Lamtumira e fundit të enjten 5 tetor në ora 11 Tiranë.”, njoftojnë familjarët.
Kujtojmë se Kamberi ka qenë mjeku i diktatorit Enver Hoxha.