Ndasitë fetare që nxisin konfliktet në Lindjen e Mesme

Feja islame ndahet në dy degë të mëdha, synitët dhe shiitët. Ndarja ka zanafillë ndasitë në caktimin e prijësit fetar pas vdekjes së Profetit Muhamed në vitin 632.

Synitët mbështetën Ebu Bekrin (Abu Bakr), i cili ishte vjehrri i Muhamedit, ndërsa shiitët mbështetën Aliun, dhëndrin. Kjo solli ndarjen.

Lexo: Shtetet që dominojnë tregun ndërkombëtar të armëve

Synitët dhe shiitët  dallojnë në doktrinën dhe praktikat fetare, sidoqoftë ata bashkohen në besimin se ka vetëm një Zot, se Muhamedi ishte i dërguar i tij dhe se Kurani përcjell fjalët e Zotit.

Në gjithë botën numërohen mbi 1.6 miliardë besimtarë të fesë islame dhe rreth 80% e tyre janë syni. Në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite, konsiderohet si shteti më i zhvilluar me shumicën e popullsisë të besimit syni.

Nga ana tjetër, Irani është shteti më i zhvilluar me shumicë shiite.

Lexo: Si pastrohen paratë e pista

Por shtete të tjera si Iraku, Bahrejni, Pakistani, Libani, Jemeni, Siria, apo vetë Arabia Saudite, kanë gjithashtu popullsi të konsiderueshme shiite.

Ndër vite, tensionet mes dy shteteve më të fuqishme të rajonit kanë provokuar konflikte të ndryshme ushtarake në vendet e tjera, si për shembull në Siri dhe Irak.

Në Siri, grupet që kundërshtojnë prej një dekade pushtetin e Presidentit Bashar al-Assad, janë në shumicë synite.

Regjimi shekullarist i al-Assad është shiit dhe ka rrënjë të thella në grupin etnofetar të quajtur alauitë. Ai mbështetet fort nga Irani, ndërsa kundërshtarët e tij kryesisht nga sauditët.

Lexo: Kur u krijua dhe si funksionon NATO

Në vitin 2003, fushata ushtarake amerikane në Irak, rrëzoi nga pushteti diktatorin syni Saddam Hussein dhe solli në pushtet grupet e përndjekura shiite, të cilat përkraheshin nga Irani.

Vite më vonë minoriteti syni ngriti pretendime për shkelje të drejtash.

Ekstremistë të të dyja palëve përshkallëzuan akuzat duke ndezur konflikte në rajonin perëndimor në kufi me Sirinë.

Grupimet ekstremiste synite shpallën Shtetin Islamik duke nisur një ofensivë të furishme ushtarake që akumuloi pasuri të majme në para, armë dhe sidomos burime nafte.

*Përkthyer dhe përshtatur nga AFP.