
Ndahet nga jeta Lasse Wellander, kitaristi legjendar i grupit ABBA
Lasse Wellander, muzikanti suedez dhe kitaristi i vjetër i ABBA, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare pas një beteje me kancerin. Lajmi u njoftua fillimisht nga familja e tij në faqen e Wallender-it në Facebook, dhe më tej u konfirmua në një deklaratë të ABBA-s në llogarinë e tyre zyrtare në Instagram.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, katër anëtarët themelues të ABBA, Agnetha Fältskog, Björn Ulvaeus, Benny Andersson dhe Anni-Frid Lyngstad e vlerësuan Wellander për luajtjen e “një roli të tillë në historinë e ABBA”.
“Lasse ishte një mik i dashur, një djalë argëtues dhe një kitarist i shkëlqyer”, shkruan ata. “Rëndësia e kontributit të tij krijues në studion e regjistrimit, si dhe puna e tij me kitarë në skenë ishte e jashtëzakonshme.”
I lindur në vitin 1952 në fshatin suedez të Skrekarhyttan, Wellander e mori për herë të parë kitarën pasi pa “The Beatles” të performonin në programin televiziv suedez “Drop In” rreth vitit 1963.
Sipas faqes së tij zyrtare, muzika ishte shumë më interesante se aktivitetet e tjera të disponueshme për një të ri në Suedinë dimërore në atë kohë.
Wellander nisi karrierën e tij si muzikant profesionist në vitin 1968, duke luajtur në grupin “Blues Quality” dhe më pas “Nature”.
Gjatë turneut me muzikantin Ted Gärdestad në 1974, Wellander takoi Ulvaeus dhe Andersson, të cilët e rekrutuan atë për të qenë pjesë e ABBA.
Sipas biografisë së Wellander në faqen e internetit të ABBA, ai më pas u bë kitaristi kryesor në albumet e ABBA dhe bëri turne me ta në 1975, 1977, 1979 dhe 1980.
Wellander gjithashtu kontribuoi në kolonat zanore të filmit për Mamma Mia! dhe Mamma Mia! Here Ëe Go Again, si dhe albumi i rikthimit të grupit në vitin 2021, Voyage.