NATO u zgjerua gjatë vitit 2023, por mbetet në pikëpyetje anëtarësimi i Ukrainës

NATO mirëpriti vendin e 31-të anëtar gjatë vitit 2023. Finlanda iu bashkua aleancës ushtarake perëndimore pasi Rusia sulmoi ushtarakisht Ukrainën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, aplikimi i Suedisë vazhdon të jetë i pezulluar dhe gjithashtu Kievi vazhdon të përballet me sfida të mëdha.

NATO u transformua nga sulmi frontal i Rusisë në Ukrainë.

Vetëm pak javë pasi tanket ruse kaluan kufirin ukrainas në shkurt 2022, Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore.

Në prill, Finlanda u bë vendi i 31-të anëtar i NATO-s.

“Fillon një epokë e re. Çdo vend maksimalizon sigurinë e tij. Po kështu edhe Finlanda. Anëtarësimi në NATO forcon pozitat tona ndërkombëtare dhe hapësirat për manovrim”, tha Sauli Niinisto, President i Finlandës.

Suedia është ende në pritje. Turqia, një vend anëtar i NATO-s, ka vonuar dhënien e miratimit për anëtarësimin, duke e akuzuar Suedinë se strehon persona që Turqia i konsideron terroristë.

Ligjvënësit turq ende po diskutojnë kërkesën e Suedisë për anëtarësim.

“Shpresoj që Asambleja Kombëtare të finalizojë këto diskutime sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të finalizojmë ratifikimin e Suedisë”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

NATO rriti mbështetjen për Ukrainën gjatë vitit 2023, duke koordinuar furnizimin nga vendet anëtare me armë dhe ofrimin e programeve stërvitore.

Në takimin e nivelit të lartë që u mbajt në korrik në Vilnius, aleanca riafirmoi pozicionin e saj se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s dhe thjeshtoi procesin për anëtarësimin e saj.

“Po bëhemi de facto një ushtri e NATO-s, për sa i përket kapaciteteve tona teknike, përqasjes së menaxhimit dhe parimeve për drejtimin e ushtrisë”, tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Anëtarësimi i Ukrainës është një vendim politik që merret nga udhëheqësit e NATO-s, thotë ish-drejtori për planifikimin e politikave të aleancës, Fabrice Pothier.

“Mendoj se Ukraina është ndër aleatët më të aftë të mundshëm. Është në nivelin optimal. Por, është në thelb një çështje politike, nëse përbën më shumë rrezik apo përfitim futja tani e Ukrainës, apo pritja për më vonë”, thotë zoti Pothier.

Ukraina është angazhuar në bisedime anëtarësimi me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, ndërsa vazhdon të luftojë me forcat ruse.

Disa vende të NATO-s mendojnë se anëtarësimi i Ukrainës duhet të presë deri në përfundim të luftës. Por, kjo mund ta zgjasë luftën, thotë zoti Pothier.

“Nëse thuhet kjo, atëherë Vladimir Putini do të ketë më shumë shtysa për të vazhduar dhe për të mbajtur një nivel luftimesh që nuk do t’ia lejojë Ukrainës të hedhë hapin drejt NATO-s”, thotë ai.

Kjo është situata me të cilën përballet NATO, ndërsa e ardhmja drejt anëtarësimit të Ukrainës mbetet shumë e paqartë./VOA