Nato dhe BE zotohen të forcojnë bashkëpunimin

Nato dhe Bashkimi Europian do të forcojnë bashkëpunimin mes tyre.

Kjo ishte deklarata e përbashkët që u nënshkrua në Bruksel nga Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg dhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel si dhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Stoltenberg tha se deklarata e tretë e NATO-s dhe BE-së për bashkëpunim strategjik, është më e rëndësishme se kurrë më parë, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet aleanca ushtarake perëndimore, veçmas pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Shefi i NATO-s bëri thirrje që të ruhet uniteti i botës së lirë demokratike karshi kërcënimeve të Moskës.

Që nga fillimi i ofensivës së Rusisë kundër Ukrainës, vendet e BE-së dhe NATO-s kanë dërguar miliarda dollarë pajisje dhe armë për Forcat e Armatosura të Ukrainës, duke i ndihmuar ato të përballen me luftën.

Deklarata për bashkëpunim strategjik konfirmon rolin kyç të NATO-s si shtyllë e sigurisë kolektive euroatlantike, por edhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Bashkimit Evropian.

Ky dokument po ashtu kërkon më shumë bashkëpunim mes dy institucioneve për t’u përballur me sfidat e reja, sulmet kibernetike, manipulimet informative, terrorizmin e deri te katastrofat natyrore.

Liderët e këtyre institucioneve po ashtu kërkuan që Suedia dhe Finlanda sa më shpejt të bëhen anëtare të NATO-s.

*TiboNews